English

Vendimi, Fatmir Mediu çlirohet nga akuzat, lihet jashtë tragjedisë së Gërdecit

Tiranë, 14 shtator NOA - Më në fund Fatmir Mediu çlirohet nga akuzat për tragjedinë e Gërdecit.

Dy gëzime në një ditë ka përjetuar sot Fatmir Mediu i cili pas dekretimit nga Presidenti për emërimin e tij në krye të Ministrisë së Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, ai nuk do të jetë më nën hetim për çështjen "Gërdeci".

Gjykata e Lartë ka miratuar sot pas mesditës kërkesën e avokatëve të Mediut për pushimin e çështjes.

Gjykata vendosi të pushojë çështjen e ministrit Fatmir Mediu duke e argumentuar se me mandatin e ri të deputetit ai ka fituar një imunitet të ri parlamentar duke zhvleftësuar heqjen e imunitetit që kishte si deputet në legjislaturën e kaluar.

Në fakt ka qenë kërkesa e avokatëve mbrojtës së Mediut, drejtuar sot trupit gjykues e cila e miratoi atë pavarësisht kundërshtimeve të akuzës.

Mësohet se avokatët kërkuan pezullimin e çështjes duke paraqitur si provë në gjykatë mandatin e deputetit të fituar më 7 shtator të këtij viti duke i siguruar Mediut imunitetin.

Ndërkohë pas seancës e cila përjashtoi nga përgjegjësitë Fatmir Mediun, avokati i tij Ardian Visha deklaroi se pushimi i çështjes ishte i drejtë por do të ishte mirë që çështja të shkojë deri në fund për të vërtetuar pafajësinë e deputetit dhe njëkohësisht ministrit të ri të Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujerave.

k.k/NOA

KOMENTE