English

Zgjedhjet në Shqipëri, flet zëdhënësi i OSBE: Përmbushën shumicën e angazhimeve tona

Tiranë, 14 Shtator NOA/BBC - "Zgjedhjet në Shqipëri, plotësuan angazhimet kryesore të OSBE-së, kështu që vlerësimi i përgjithshëm është pozitiv".

Këtë pohim bëri sot në një intervistë me radion BBC, zëdhënësi i OSBE/ODIHR-it Jens-Hagen Eschenbacher.

Më poshtë ndiqni intervistën e plotë:

Raporti thotë se ndërsa plotëson shumicën e angazhimeve të OSBE-së, zgjedhjet nuk realizuan në mënyrë të plotë potencialin e Shqipërisë për të zbatuar standardet më të larta për zgjedhje demokratike. Pse ndodhi kjo?

Së pari, konkluzioni ynë ishte se zgjedhjet plotësuan angazhimet kryesore të OSBE-së, kështu që vlerësimi i përgjithshëm është pozitiv. Ne arritëm në përfundimin se ka përmirësime në një numër fushash, për shembull për sa i përket sistemit të ri të regjistrimit të votuese, për sa i përket futjes së kartave të identitetit që përmirëson identifikimin e zgjedhësve. Kuadri ligjor është përmirësuar në mënyrë konsensuale nga të dy partitë kryesore dhe gjithashtu numërimi i votave ka ndodhur në një mënyrë më të përmirësuar krahasuar me zgjedhjet e mëparshme.

Shqipëria është një vend anëtar i NATO-s dhe nga një vend i tillë priten standardet më të larta. Pse nuk janë arritur këto gjatë këtyre zgjedhjeve?

Po, përveç pikave pozitive, ne gjithashtu vumë re se këto zgjedhje nuk realizuan në mënyrë të plotë potencialin e Shqipërisë për të zbatuar standardet më të larta për zgjedhje demokratike. Kjo, në një masë të madhe, ndodhi për shkak të mungesës së angazhimit nga të gjitha partitë politike për të respektuar përmbajtjen dhe synimin e ligjit për të shpërndarë detyrat zgjedhore në mënyrë të përgjegjshme për të ruajtur integritetin e procesit.

Cili është roli i qeverisë në këto probleme?

Nëse pyesni për rolin e qeverisë, ne në këtë fazë sigurisht kemi publikuar raportin tonë përfundimtar. Ne ia kemi dërguar atë autoriteteve nëpërmjet kanaleve të OSBE-së. Raporti përfshin rekomandime për përmirësime për zgjedhjet e ardhshme që mund të konsiderohen nga qeveria me qëllim që të përgatitet për zgjedhjet e ardhme.

Cilat janë disa nga rekomandimet që ju i jepni qeverisë shqiptare?

Rekomandimet nuk i drejtohen vetëm qeverisë. Ato i drejtohen të gjithë forcave pjesëmarrëse në procesin zgjedhor. Një nga rekomandimet kyçe që ne bëjmë në raport është që të gjitha palët e interesuara në proces, veçanërisht partitë politike, të marrin seriozisht angazhimet e tyre, ose përgjegjësitë që kanë, të zbatojnë përgjegjësitë që kanë në një proces zgjedhor. Ne kemi vënë re se aspekti teknik i procesit elektoral u politizua shumë dhe partitë votuan p.sh. në komisionet zgjedhore përgjatë linjave partiake, gjë që pati efekt negativ në procesin zgjedhor.

Shumë do të varet nga ky raport i OSBE-së. Opozita shqiptare po bojkoton parlamentin dhe ata kanë hedhur akuza për mashtrim gjatë zgjedhjeve. Si e vlerësoni ju këtë qëndrim të opozitës?

Roli ynë nuk është për të ndërhyrë në proceset e brendshme politike. Roli ynë është të vëzhgojmë zgjedhjet dhe të raportojmë për gjetjet tona. Dhe kjo është çka kemi bërë ne. Gjetjet tona janë përfshirë në këtë raport dhe i takon tani palëve të interesuara në këtë proces zgjedhor, dhe në zgjedhjet në përgjithësi në Shqipëri, që të nxjerrin konkluzionet e tyre nga raporti.

KOMENTE