English

Ambasadori i ri kosovar paraqet letrat kredenciale tek presidenti Topi

Tiranë, 15 shtator NOA-Ambasadori i Kosovës në Tiranë, Gazmend Pula, i ka paraqitur të hënën letrat kredenciale presidentit të Shqipërisë, Bamir Topi.

Sipas zyrës së shtypit të Presidencës, kreu i shtetit shqiptar e ka vlerësuar paraqitjen e letrave kredenciale si një moment shumë të rëndësishëm dhe emocionues, sepse "përbën finalizimin zyrtar të një marrëdhënie që ne e kemi pritur me padurim".

Ai e ka uruar zotin Pula për suksese, duke e siguruar njëkohësisht për mbështetjen e tij të plotë dhe të të gjithë institucioneve të shtetit përgjatë misionit të tij.

Topi ka theksuar me këtë rast se Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete të projektuara qartë drejt integrimit të përbashkët evropian.

Nga ana e tij, ambasadori Pula ka theksuar se ndihet shumë i nderuar dhe i privilegjuar që po përjeton këtë çast historik, duke përfaqësuar Kosovën si ambasador në Tiranë.

Ai ka shtuar se zhvillimi dhe fuqizimi i mëtejshëm i marrëdhënieve bilaterale dhe bashkëpunimit të shkëlqyer e vëllazëror mes dy vendeve do të jenë objektivat kryesore të punës së tij në Shqipëri.

KOMENTE