English

Dokumenti i Ahtisarit, apo kompromisi më i dhimbshëm

"Të nderuar bashkëqytetarë, sikurse të mbanim mbledhjen për këtë protokoll, isha përgatitur që t'ua përkujtoj bartësve të institucioneve kosovare 2007-ën, atëherë kur betoheshin se nuk do të lëshojnë më pa¨ liderët kosovarë, se dokumenti i Ahtisarit është kompromisi më i dhimbshëm, por do të pranojnë dokumentin e Ahtisarit për hir të ardhmërisë së Kosovës"

Nga Driton Tali*

Të nderuar bashkëqytetarë, sikurse institucionet kosovare te funksiononin ashtu siç janë përgjegjëse, sot nuk do të kishim arsye për të bërë këtë demonstratë. Por ja që për kuvendin e Kosovës më interesant është që këtë javë të debatojmë për bordin e ART-së, së sa të merremi me këtë çështje.

Është më interesant për ata, sepse së shpejti do të hapet tenderi për operatorin e tretë mobil, dhe aty, e dini çka? Ka para.

Të nderuar bashkëqytetarë, për kuvendin e Kosovës është më urgjente që të debatojmë për ligjin për qeverinë, sesa për protokollin EULEX-Serbi. Për kuvendin e Kosovës është më interesant dhe më urgjente diskutohet ligji për shërbyesit civilë sesa për protokollin EULEX-Serbi.

Të nderuar bashkëqytetarë, unë pata menduar se për kuvendin, është më intersant se kjo demonstratë të mos të ndodhë, por kjo bisedë të zhvillohet atje ku përfaqësuesit e qytetarëve të Kosovës janë betuar se do të punojnë, bile edhe paguhen, paguhen me paga shumë më shumë se ju që jeni mbledhur.

Të nderuar bashkëqytetarë, sikurse të mbanim mbledhjen për këtë protokoll, isha përgatitur që t'ua përkujtoj bartësve të institucioneve kosovare 2007-ën, atëherë kur betoheshin se nuk do të lëshojnë më pè liderët kosovarë, se dokumenti i Ahtisarit është kompromisi më i dhimbshëm, por do të pranojnë dokumentin e Ahtisarit për hir të ardhmërisë së Kosovës.

Do t'ia rikujtoja edhe Eulexit 4 shkurtin e 2008-s, kur ishte vendosur në Këshillin e Unioni Evropian, në atë planin e veprimit të përbashkët që të krijohet EULEX-i për ta monitoruar, për t'i ndihmuar dhe rekomanduar institucioneve kosovare, në bazë të dokumentit të Ahtisaari-t, dokument i cili megjithatë parashihte Kosovën e pavarur me pavarësi të mbikëqyrur.

Pas 6 muajsh dikush i ndërroi llafet. EULEX-i më nuk ishte në bazë të dokumentit të Ahtisari-t si mbikëqyrës, por EULEX-i na doli mbi dokumentin e Ahtisari-t. Përfaqësuesve kosovarë të cilët betoheshin se nuk do të lëshojnë pe, heshtën.

Në vend se letrën e Ban Ki Moon-it në qershor të vitit 2008 ta kundërshtonin, ata e duartrokitën. Nuk hapën debat për 6 pikëshin përkundër iniciativave, nuk hapën debat sepse e kishin duartrokitur, dhe e kishin lavdëru atë letër e cila në vete përmbante 6 pikat.

… dhe ia rikujtoj EULEX-it për çka është krijuar. Dikush përsëri lëshoi pe sepse të premten u nënshkrua protokolli Dikush po rren.

Mos iu besoni përrallave të EULEX-it se ky protokoll është për ta luftuar krimit të organizuar. Eulex-i le ta luftojë krimin së pari në Kosovë, aty ku buron e ku derdhet korrupsioni, se ky koalicion që është krijuar nuk ka ndërmarrë asnjë hap në këtë drejtim.

Atëherë në Kosovë nuk paska krim, në Kosovë nuk paska korrupsion dhe nuk kemi nevojë për EULEX. Le të shkojnë në shtëpi.

Institucionet e Kosovës, bartësit, liderët tanë, kanë borxh të na tregojnë se kush lëshoi pe për këtë protokoll, për shkak se pa pëlqimin e vendorëve ky protokoll do të ishte i paligjshëm.

Liderët tanë duhet të na tregojnë se pse betoheshin kur thonin se nuk do të ketë më lëshime në dokumentin e Ahtisaarit, se ky është kompromisi më i dhimbshëm. 6 pikëshin kush e pranoi? Ne qytetarët e Kosovës duhet ta dimë këtë dhe ata na e kanë borxh. Po ashtu edhe EULEX-i duhet ta di se këta liderë, edhe tjerë janë të përkohshëm. Janë liderë derisa i mbrojnë interesat e qytetarëve. Në momentin kur nuk i mbrojnë interesat e qytetarëve, kot e kanë të nënshkruajnë protokolle me firmën e tyre, se nuk janë më liderë të qytetarëve.

(*) Fjalimi në demonstratën kundër EULEX-it dhe protokolleve të tij me Serbinë, kundër hipokrizisë së krerëve institucionalë, e për sovranitetin e Kosovës

KOMENTE