Tiranë, 15 shtator, NOA - Nuk do të ketë më asnjë veprim tjetër të ndërmarrë nga prokuroria lidhur me çështjen e përfshirjes së mundshme të ministrit Fatmir Mediu në tragjedinë e Gërdecit.
Një fakt të tillë e ka bërë të ditur vetë kryeprokurorja Ina Rama ditën e sotme, duke shuar në këtë mënyrë të gjitha mundësitë për vazhdimësi të punës së organit të akuzës mbi këtë çështje.
"Mbetet në fuqi vendimi i gjykatës për pushimin e kësaj çështje. Ky është një vendim i gjykatës dhe nuk do të ketë më veprim tjetër nga ana jonë lidhur me të", mësohet të ketë deklaruar para gazetarëve kryetarja e Prokurorisë së Përgjithshme.
Ndër të tjera, ajo është shprehur se organi i akuzës nga ana e tij e ka bërë punën që i takonte lidhur me çështjen e lartpërmendur dhe se nuk do të ketë më vijëmësi të saj.
"Ne respektuam të gjitha anët procedurale dhe e kemi bërë punën tonë. Ne treguam që ishim kundër pushimit të çështjes, por vendimin gjykata e dha", tha ndër të tjera Rama.
Ditën e djeshme, Gjykata e Lartë vendosi kërkesën e avokatëve të ministrit Fatmir Mediu për pushimin e çështjes ndaj tij, duke e argumentuar se me mandatin e ri të deputetit ai ka fituar një imunitet të ri parlamentar duke zhvleftësuar heqjen e imunitetit që kishte në legjislaturën e kaluar.
n.e/NOA