Data 15 shtator, shënon një nga momentet kyçe në krizën financiare-kolapsin e bankës së investimeve "Lehman Brothers". Ngjarja nxiti shkrirje financiare që e zhyti botën në recesionin më të thellë që nga Lufta e Dytë Botërore
Nga radio Free Europe
Ishte e diel, 15 shtator 2008, kur një lumë njerëzish filloi të rrjedhë nga zyrat e "Lehman Brothers" në Nju-Jork. Të punësuarit, të cilët në duar mbanin kuti me gjëra personale, e dinin se fundi ishte afër. "Kjo është tragjedi. Këtu kam punuar 23 vjet. Nuk e kam idenë se çfarë do të bëj tani. Jam i shokuar. Nuk e kam pritur se do të vijë deri te kjo", thotë një i punësuar. Zyrtarët nga Thesari, nga Rezervat Federale, i cili është ekuivalent i Bankës Qendrore Amerikane dhe disa nga bankierët kryesorë të "Uall Stritit" e kaluan fundjavën në diskutime të furishme. Por, Qeveria nuk kishte plane ta shpëtojë bankën "Lehman", apo t'ia shesë bankave tjera. Mëngjesin e së hënës të 15 shtatorit, firma 158-vjeçare shpalli falimentimin, më i madhi në historinë amerikane. Kolapsi i "Lehman Brothers" dërgoi valë shoku në botën financiare. Një sasi e madhe e 758 milionë dollarëve, sa ishin borxhet e bankës "Lehman", u bënë të pavlera brenda natës. Humbjet nga ky borxh bënë që vlera e aksioneve të Rezervave Federale të bjerë nën një dollar. Kjo, vetvetiu, nuk ishte tragjedi, thotë Luigji Zingales, profesor i Financave në Universitetin e Çikagos, por ai këtu sheh pasoja tjera. "Kjo nuk ishte skema e një tragjedie të madhe. Njerëzit që i mbanin paratë e tyre në fondin e Rezervave, në vend që të marrin një dollar, morën nga 97.5 centë, që nuk paraqet problem të madh". "Mirëpo, frika se kjo mund të ndodhë edhe me fondet tjera, bëri që bankat të mbeten pa para dhe e detyruan qeverinë të ndërhyjë në treg, ndërsa kompanive iu vështirësua të financojnë veten, duke lëshuar letra me vlerë", shpjegon Zingales. Kriza financiare filloi me një shpejtësi që ta merrte frymën. Një javë më parë, Thesari në thelb i kishte nacionalizuar dy kompanitë e mëdha kreditore, "Fredi Mek" dhe "Fani Mej". Në ditën e njëjtë kur "Lehman Brothers" i plotësoi dokumentet për falimentim, një bankë tjetër investuese, "Meril Linç", u ble nga Banka e Amerikës. Pasi kolapsoi "Lehman", Qeveria nisi shpëtimin e gjigantit të sigurimeve AIG. Pa kaluar një muaj, Sekretari i Thesarit, Henri Poalson, u kishte rënë në gjunjë politikanëve duke i lutur që të japin pëlqimin për paketën 700 miliardë dollarëshe për të stabilizuar sistemin financiar. Në ditën kur kolapsoi "Lehman Brothers", rënia më e madhe ditore në tregjet e bursave mund të krahasohej vetëm me rënien që u shkaktua nga sulmet e 11 Shtatorit. Ted Uaisberg nuk kishte parë diçka të ngjashme në 40 vjetët e Bursës. "Ishte shumë e frikshme dhe njerëzit nuk mund ta kuptonin se çfarë po ndodhte me sistemin. Dukej sikur po zhdukej para syve tanë", thotë Uaisberg. Ekspertët thonë se paniku i shtatorit u nxit edhe nga konfuzioni, i cili u shkaktua nga vendimi që të lejohet kolapsi i "Lehman Brothers". Pas kësaj, institucionet tjera financiare morën forma të ndryshme të ndihmës nga qeveria, por kjo nuk vlejti për bankën "Lehman". Tim Gaitner, i cili e trashëgoi Polsonin në krye të Thesarit, do të thoshte më vonë se qeveria nuk ka pasur mekanizëm të duhur legal, por të tjerët nuk janë të bindur dhe pohojnë se autoritetet kanë mundur të gjejnë mënyrë ta shpëtojnë bankën "Lehman Brothers".