Tiranë, 15 shtator NOA-Ministri i Shtetit për Reformat dhe Marrëdhëniet me Parlamentin, Genc Pollo, ftoi sot opozitën që "të ulet në parlament dhe të bëhet pjesë e reformave të rëndësishme në luftën kundër korrupsionit".
Nga Konferenca Rajonale Anti-Korrupsion, e cila u organizua sot në Hotel "Tirana International", Pollo theksoi se elementi kryesor që ndikon në ndryshimin e situatës dhe pastrimin e kanaleve të shtetit dhe shoqërisë nga ky fenomen është një vullnet i qartë politik.
Pollo theksoi se lufta kundër korrupsionit ka qenë ndër premtimet kryesore të Kryeministrit Berisha si në fushatën zgjedhore të 2005, ashtu edhe në fushatën zgjedhore që sapo u mbyll dhe që konfirmoi të njëjtin mandat për këtë maxhorancë.
"Në kuadër të reformës legjislative, një nga angazhimet tona ishte heqja e imunitetit për çdo zyrtar, duke filluar nga anëtarët e qeverisë dhe ata të parlamentit.
Kjo nuk u realizua pasi duhej konsensus për të realizuar amendimin e Kushetutës", tha zoti Pollo, duke ftuar opozitën që "të tregohet bashkëpunuese në legjislaturën që sapo ka filluar".
Gjithashtu, ai kërkoi kontributin e opozitës edhe për miratimin e ligjit "Për gjykatat administrative", i cili synon të krijojë një organ shumë të vlefshëm për të gjithë qytetarët shqiptarë në kuadër të luftës kundër korrupsionit.