English

Miratimi i qeverisë së re nga Kuvendi, pritet akordi Berisha-Topalli

Tiranë, 15 shtator, NOA - Marrëveshja mes kryeministrit Berisha dhe kryeparlamentares Topalli pritet të caktojë ditën e seancës plenare në të cilën parashikohet të kryhet betimi i qeverisë së re.

Një gjë e tillë mund të ndodhë sot ose nesër, duke i dhënë fund në këtë mënyrë odisesë së krijimit të kabinetit të ri qeveritar, i cili do të drejtojë vendin gjatë periudhës së viteve 2009-2013.

Një fakt i tillë është i bazuar në nenin 110 të rregullores së Kuvendit, ku në pikën 1 të tij thuhet saktësisht se "dita e seancës plenare për miratimin e programit politik dhe të përbërjes së Këshillit të Ministrave, në zbatim të nenit 97 të Kushtetutës përcaktohet nga kryetarja e Kuvendit në marrëveshje me kryeministrin". Dita e djeshme ka shënuar dekretimin prej presidentit të Republikës së emrave të kabinetit të ri qeverisës, duke kaluar në këtë mënyrë edhe pengesën e fundit që mund të haste qeveria e re.

Tashmë, asaj i është hapur rruga drejt Kuvendit, duke pritur që sot ose nesër të zhvillohet edhe seanca përkatëse ku ai do të votohet me votat e mazhorancës, pasi opozita pritet ta bojkotojë sërish atë.

n.e/NOA

KOMENTE