"Tetë muaj më vonë, puna për rimëkëmbje vazhdon. Dhe, megjithëse kurrë nuk do të jem i kënaqur derisa njerëzit vazhdojnë të mbeten të papunë dhe sistemi ynë financiar të jetë i brishtë, mund të kemi besim se stuhitë e dy vjetëve të kaluara, kanë filluar të dobësohen", - tha presidenti amerikan
Nga Nik Krastev
Presidenti Barak Obama ua ka tërhequr vërejtjen institucioneve financiare se nuk do të ketë kthim prapa në atë që ai e quajti "sjellje të pamenduar", duke e cilësuar si shkaktarin kryesor të krizës financiare që nxiti recesionin në mbarë botën.
Në një fjalim të mbajtur me rastin e përvjetorit të parë të kolapsit të bankës "Lehman Brothers", Obama tha se institucionet financiare nuk mund të llogarisin më në pako shpëtimi në kurriz të tatimpaguesve.
Presidenti Obama ka folur për ndryshimet që ai i quajti si të domosdoshme, përfshirë këtu edhe rregullat e reja në mbrojtje të konsumatorëve dhe një mbikëqyrje më të mirë për industrinë financiare. Dështimi i "Lehman Brothers", bankrotit më të madh në historinë amerikane, nxiti periudhën më intensive të krizës financiare. Tani, tha presidenti, më e keqja duket se është lënë prapa. "Tetë muaj më vonë, puna për rimëkëmbje vazhdon. Dhe, megjithëse kurrë nuk do të jem i kënaqur derisa njerëzit vazhdojnë të mbeten të papunë dhe sistemi ynë financiar të jetë i brishtë, mund të kemi besim se stuhitë e dy vjetëve të kaluara, kanë filluar të dobësohen", tha presidenti amerikan. Megjithatë, disa ekonomistë me emër, janë duke tërhequr vërejtjen se sistemi financiar sot mund të jetë në gjendje më të keqe, sesa që ka qenë para shpërthimit të krizës financiare. Sipas tyre, problemi qëndron te mungesa e gatishmërisë apo aftësisë së qeverisë për të kufizuar madhësinë e institucioneve financiare. Kjo çështje vazhdon të jetë shumë e politizuar dhe këtë gjë e ka përmendur edhe zoti Obama në fjalimin e tij, në "Uall Strit". Sipas tij, edhe pse vazhdon të ndihet nevoja për përfshirjen e qeverisë në stabilizimin e sistemit financiar, kjo domosdoshmëri po zbehet. Dhe, ndërkohë që për rimëkëmbjen e plotë të sistemit financiar duhet më shumë punë dhe më shumë kohë, presidenti tha se stabiliteti në rritje, që rezultoi nga intervenimet e qeverisë, nënkupton se sistemi është duke iu rikthyer normalitetit. Megjithatë, ai, njëkohësisht, tërhoqi vërejtjen se disa institucione financiare janë ngutur që t'u kthehen ditëve të vjetra. "Nuk do të kthehemi prapa te ditët e sjelljeve të pamenduara mirë dhe suficiteve të pakontrolluara, të cilat, në fakt, ishin në zemër të krizës. Të shumtë ishin ata që u motivuan vetëm nga apetitet për pasuri të shpejtë dhe bonuse të majme. Ata në ‘Uall Strit', nuk mund të vazhdojnë të rrezikojnë pa e pasur mendjen te pasojat dhe të presin, njëkohësisht, që taksapaguesit amerikanë t'i shpëtojnë nga rrëzimi", theksoi presidenti amerikan. Ai tha se administrata e tij është duke udhëhequr një aksion të koordinuar për të promovuar rimëkëmbjen dhe rivendosjen e prosperitetit, jo vetëm tek ekonomitë më të mëdha botërore, por edhe tek ekonomitë më në rritje në botë. "Thelbësore për këtë përpjekje është reformimi i asaj që është thyer në sistemin global financiar - një sistem që lidh ekonomitë mes vete dhe zgjeron, njëkohësisht, shpërblimet dhe rreziqet. E dimë mirë se abuzimet në tregjet financiare mund të kenë ndikim kudo", tha presidenti amerikan, duke nënvizuar se, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara janë duke e reformuar në mënyrë agresive sistemin rregullator, do të punohet, njëkohësisht, që të sigurohet se edhe në pjesën tjetër të botës është duke u vepruar njësoj.