Sofje, 15 shtator NOA-Tre maqedonasit që kanë marrë pjesë në shpëtimin e bullgarëve në Liqenin e Ohrit, ku me fundosjen e anijes "Ilinden" humbën jetë 15 persona, do të pajisen me pasaporta bullgare.
Këtë lajm e bëri të ditur, Ministri i Bullgarisë për Diasporën, Bozhidar Dimitrov.
Qytetarët maqedonas tashmë kanë dërguar kërkesat për nënshtetësi, bëri të ditur ministri bullgar, pa dashur ti zbulojë për publikun emra e tyre.
Përpos pasaportave, shpëtimtarët sipas paralajmërimeve do të marrin edhe medalje dhe dekorata për veprën që e kanë bërë.
Sipas Dimitrovit, arsyeja për fatkeqësinë në të cilën humbën jetën 15 bullgarë ishte vjetërsia e anijes, si dhe papërgjegjësia e institucioneve kompetente që i kanë dhënë leje për të punuar.