Tiranë, 16 shtator NOA - Konfindustria mbështet vendimin e qeverisë për shtrirjen e pagesës së TVSH-së (tatimi mbi vlerën e shtuar) mbi biznesin e vogël.
Por ky vendim duhet të jetë efikas për të luftuar evazionin fiskal masiv të sotëm dhe konkurrencën e padrejtë ndërmjet bizneseve.
Në një konferencë për shtyp, Administratori i Përgjithshëm i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku ka deklaruar se në mënyrë të veçantë qeveria duhet të shikojë me përparësi cështjen e rimbursimit të TVSH-së për prodhimet bujqësore dhe blegtorale.
"Është fakt që skema e vendosur përpara 1 viti kur lejohet rimbursimi në masën prej 6% e prodhimeve bujqësore dhe blegtorale ka dështuar.
Nga shuma e përllogaritur në buxhet prej afër 50 milion $ për rimbursimin e TVSH-së me skemën në fuqi për prodhimet bujqësore dhe blegtorale nuk është përdorur pothuaj asgjë", tha Buxhuku.
Në deklaratën e Buxhukut theksohet kërkesa për rivlerësimin e rimbursimit edhe për zëra të ndryshëm të shpenzimeve të bizneseve në përgjithësi, që sot nuk rimbursohen dhe kalojnë si kosto shtesë e drejtpërdrejtë në mënyrë të paarsyeshme.
Kjo në kundërshtim me përvojën e vendeve konkurrente tona në BE dhe jashtë saj.
Konfindustria prej dy vitesh i ka kërkuar zyrtarisht Qeverisë shqiptare shtrirjen e TVSH-së në të gjithë kategoritë e biznesit së bashku me vendosjen e kasave fiskale, si një masë e domosdoshme për të luftuar evazionin fiskal, që mbi të gjitha është goditje ndaj industrive dhe prodhimit vendor.
Sipas saj ky vendim duhet të zbatohet sa më shpejt.