Tiranë, 16 shtator NOA - Zëdhënësja e qeverisë, Majlinda Bregu, ka reaguar sot pozitivisht për vlerësimet e ndërkombëtarëve të zgjedhjeve të 28 qershorit.
Bregu i ka bërë thirrje opozitës që t'i lexojë këto mesazhe vlerësuese për zgjedhjet e 28 qershorit me syrin dhe paanësinë e partnerëve të Shqipërisë në Evropë
"Përshëndes deklaratën e djeshme të presidencës së Bashkimit Evropian, dhënë nga ministri i Jashtëm suedez Karl Bild dhe deklaratën e komisionerit evropian për zgjerimin Olli Rehn, të cilët kanë vërtetuar edhe një herë me deklaratën e tyre se Shqipëria e ka kaluar suksesshëm testin e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit.
Deklaratat e presidencës suedeze dhe komisonerit Rehn se vendi pas këtyre zgjedhjeve është në një pozitë më të mirë për sa i përket perspektivës evropiane, janë konfirmim i përgjegjshmërisë me të cilën qeveria shqiptare ka zbatuar dhe do të zbatojë të gjitha detyrimet që afrojnë vendin më shumë me Bashkimin Evropian" deklaroi sot Bregu.
"Pas raportit të publikuar nga misioni i OSBE-ODIHR-it, në të cilin theksohet se këto zgjedhje kanë shënuar progres krahasuar me zgjedhjet e mëparshme dhe, se nuk kishte prova për manipulim rezultati, apo për numërim të parregullt, vijnë dhe deklaratat e përfaqësuesve më të lartë të Bashkimit Evropian, të cilët gjithashtu konfirmojnë se Shqipëria është sot më afër BE-së" shtoi më tej zëdhënësja e qeverisë.
Ajo iu referua edhe një herë raportit të OSBE/ODIHR-it që sipas saj, deklaroi se zgjedhjet e 28 qershorit në Shqipëri kanë shënuar progres qenësor në lidhje me regjistrimin e zgjedhësve, procesin e identifikimit të tyre, votimin, numërimin dhe shqyrtimin e ankesave; një raport ky që është i ngjashëm me raportet e vendeve të tjera në rajon e Evropë.
Bregu i bëri ftesë opozitës e Ramës që të vijë në parlament e të dëshmojë se plotësimi i detyrimeve për të qenë sa më shpejt në Bashkimit Evropian, është detyrimi politik e qytetar i gjithkujt që ka kërkuar dhe ka marrë votën e shqiptarëve në 28 qershor për të realizuar sa më parë ëndrrën e përbashkët evropiane.
k.k/NOAÂ
Â