English

Prag 50-vjetori i Cirkut shqiptar, vjen premiera "Gjethe që bien"

Tiranë, 16 Shtator NOA - Cirku shqiptar mbush 50 vjet nga krijimi i tij dhe duke nisur nga kjo fundjavë, prezantohet para publikut me premierën e saj më të re, "Gjethe që bien".

Drejtori i Teatrit të Metropolit, Kiço Londo, tha sot "se të shtunën më 19 shtator në orën 11.00 Cirku hap dyert për të gjithë admiruesit e këtij arti të veçantë në vendin tonë". "Gjethe që bien" titullohet shfaqja që do t'i sillet publikut kryeqytetas dhe është konceptuar në një formë të re që do të jetë në program duke filluar nga 19 Shtator 2009 deri më 22 Nëntor 2009.

Janë bërë pothuajse 50 vjet që nga krijimi për herë të parë i Cirkut Shqiptar dhe që nga ajo ditë artistë të moshave të ndryshme kanë mrekulluar publikun me talentin dhe guximin e tyre.

Numra të paharrueshëm për nivelin artistik dhe shkallen e rrezikshmërisë kanë ngelur në kujtesën e publikut.

Z.Londo thotë se në pritje të 50 vjetorit të krijimit është realizuar një përmbledhje e numrave më të mirë ndër vite, janë ripunuar dhe rikonceptuar e do t'i serviren publikut ne premierën më të re, "Gjethe qe bien".

"Në një mozaik të numrave të ajrit, akrobacisë, plastikës, xhonglimit, numrave të shpejtësisë dhe kllounatës, do të ringjiten në arenë "Fjongoja fluturuese", "Klasa e qeneve", "Basketbollisti xhongler,"Plastika- Vajza e kabaresë" si dhe lojëra humoristike të klounëve tanë", - thekson z.Londo.

Ai pohon se nuk do të mungojnë performancat e fëmijëve të grupit "Spektër" që i shtojnë koloritin shfaqjes.

Ndaj të gjithë janë të ftuar te Cirku i Metropolit, ku me çmimin simbolik prej 200 lekësh, spektakli është i garantuar nën kujdesin artistik të mjeshtrit Fatos Roshi dhe në interpretimet e akrobateve Manushaqe Mullai, Sokrat Buzo, Gentian Dollaku, Juxhina Madhi, Pranvera Sallata, Fitnete Duro, Xhejms Kodra, Novruz Hyseni dhe prezantimin e Vilson Gjocaj.

a.k/NOA

KOMENTE