English

PS, Gjiknuri: Nuk kërkojmë përmbysjen e rezultatit zgjedhor, por zbardhjen e shkeljeve

Tiranë, 16 shtator NOA - Deputeti i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri ka dalë sot në një deklaratë për shtyp ku ka shprehur shqetësimin e socialistëve ndaj indiferencës së mazhorancës për të reaguar ndaj një kërkese krejt legjitime të opozitës.

Sipas Gjiknurit, mazhoranca po hiqet indiferente për kryerjen e plotë të transparencës në lidhje me të gjitha problemet me zgjedhjet dhe që janë të konfirmuara edhe nga raporti i fundit i misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve. Â Â

"Ky raport nuk bëri gjë tjetër, por konfirmoi edhe njëherë problemet që ka ngritur opozita shqiptare në lidhje me këto zgjedhje, duke shtruar si imperative adresimin e tyre, duke filluar së pari nga hedhja dritë e të vërtetave që fshihen në kutitë e votimit.

Partia Socialiste kërkon t'i bëjë të qartë opinionit publik se marrëdhënia jonë e kushtëzuar me parlamentin e dalë nga këto zgjedhje problematike, në vetvete nuk kërkon përmbysjen e rezultatit zgjedhor, por hedhjen dritë mbi shkeljet, identifikimin e përgjegjësve, si dhe marrjen e masave që këto probleme të mos përsëriten më në të ardhmen" deklaroi Gjiknuri.

"Kushtet e vendosura nga Partia Socialiste janë në vetvete çështje që në raport, kërkohen të adresohen nga politika shqiptare.

Jo më kot ky raport konstaton përdorimin e administratës shtetërore në favor të PD dhe marrjen e masave për korrigjimin e tyre. Jo më kot ky raport konstaton se njerëzit janë kërcënuar e madje pushuar nga puna, Â për qëllime elektorale, gjë që në fakt po vërtetohet dita ditës në të gjithë vendin me anë të pushimeve masive nga puna me një sfond të pastër politik" tha më tej deputeti i PS-së. Â

Sipas Gjiknurit, problemet e konstatuara në këtë raport janë preludi i kushteve të PS-së. "Plotësimi i tyre jo vetën që nuk cenon imazhin e Shqipërisë siç pretendon Berisha, por ndikon direkt në shëndoshjen e demokracisë dhe kthimin e normalitetit në lidhje me zgjedhjet në vend.

Opozita është e gatshme që të hyjë në kuvend menjëherë, nëse do të mundësohet transparenca e kërkuar.

Një mazhorancë që e ndjen veten legjitime në pushtet dhe që është e bindur në pastërtinë e zgjedhjeve, në asnjë rrethanë nuk mund të pengojë opozitën në hetimin dhe zbardhjen e të vërtetave që ndodhen  në kuti" përfundoi deputeti i PS-së.

k.k/NOA

Â

KOMENTE