English

"Qeveria e Integrimit Evropian", Berisha tregon planet për 4 vitet e ardhshme

Tiranë, 16 Shtator NOA - Kryeministri Sali Berisha kërkoi sonte një mandat të ri qeverisës, të cilin e mori me shumicë votash pak para mesnate, pa praninë e opozitës.

Në këtë mënyrë, kryeministri Berisha përsërit mandatin e tij të kryeministrit për një tjetër katër vjeçar.

Berisha, ka qenë dy herë president i Republikës, në mandatin e parë për pesë vjet rresht dhe në të dytin që e mori gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, disa muaj, dhe nga viti 1991, disa herë kryetar i PD, post që e kanë gëzuar gjatë këtyre 19 viteve edhe i ndjeri Azem Hajdari, si dhe Tritan Shehu.

Në seancën e sotme plenare që zgjati më shumë se pesë orë, Berisha foli gjatë për programin e ri qeverisës të kabinetit të tij që ka marrë emërtesën "Qeveria e Integrimit Evropian".

Në argumentet politike, kryetari i Qeverisë ftoi opozitën të zërë vendet në parlament duke garantuar se do të ketë rol të rëndësishëm në reformat për integrimin e vendit.

Ndërkohë, Kryeministri u ndal gjatë në programin e ri qeverisës ku fillimisht e vuri theksin te zhvillimi ekonomik, reformat në arsim, shëndetësi dhe perspektivës evropiane të Shqipërisë.

Duke vlerësuar arritjet gjatë mandatit të parë qeverisës, Berisha nënvizoi se këto arritje përbëjnë një bazë të fortë për vazhdimin e reformave në kuadër të projektit të Shqipërisë Evropiane.

"Ne nisim këtë mandat, pas një lufte të suksesshme të krimit dhe korrupsionit, reformave të thella ekonomike, privatizimeve të mëdha, rritjes së shpejtë ekonomike, revolucionit të thellë fiskal dhe pothuaj dyfishimit të të ardhurave, rritjes me 68% të rrogës mesatare, dyfishimit të rrogave dhe pensioneve të ulëta, dhe pasi Shqipëria është shndërruar në një ndër vendet më tërheqëse në rajon për investimet e huaja", - tha kryeministri.

"Nisim mandatin e dytë, - shtoi ai, - ndërkohë që ekonomia shqiptare i rezistoi më mirë se të gjitha ekonomitë e tjera, krizës së rëndë ekonomike dhe financiare botërore.

"Një objektiv madhor i Qeverisë së Integrimit Evropian., u shpreh ndër të tjera Kryeministri, është reforma institucionale me përparësi respektimin dhe konsolidimin e ndarjes dhe kontrollit të pushteteve, pavarësinë e sistemit gjyqësor në të gjitha nivelet, dhe lufta kundër korrupsionit.

Më tej, Kryeministri vuri në dukje se reformave të thella do t'i nënshtrohen arsimi, shëndetësia, diplomacia shqiptare, duke u angazhuar për një qeveri e vogël, eficiente dhe në dietë.

"Shqipëria Evropiane, ndërtimi i saj, ka si kusht të të gjitha kushteve, luftën me zero tolerancë kundër korrupsionit," tha ndër të tjera Kryeministri.

"Objektivat më madhore të qeverisë së Integrimit Evropian, tha më tej Berisha, janë: konsolidimi i rritjes së shpejtë ekonomike, Shqipëria lider në rajon për thithjen e investimeve të huaja dhe zhvillimin e qëndrueshëm të saj.

Kreu i Qeverisë cilësoi energjinë dhe turizmin si shtylla kryesore të zhvillimit të ekonomisë.

"Ne angazhohemi se, duke ruajtur standardet më liberale të ekonomisë së tregut, do të thellojmë gjithnjë e më shumë frymën sociale të qeverisjes sonë, luftën e pamëshirë kundër njërit prej dy armiqve më kryesorë të njerëzve të lirë - varfërisë", - vijoi Berisha në fjalën e tij.

Një ndër synimet kryesore të listuara në këtë kuadër është ndihma ekonomike mbi dy dollarë për çdo qytetar shqiptar dhe barazimi i pensioneve të fshatit me ato të qytetit brenda vitit 2013.

"Qeveri e Integrimit Evropian do të bëjë çdo përpjekje, do të ndërmarrë çdo reformë dhe çdo masë tjetër apo angazhim politik, institucional, ligjor e financiar duke bërë të mundur, brenda vitit të parë të këtij mandati, që Shqipëria të meritojë vendin për heqjen e vizave me BE dhe më gjerë, të iniciojë negociatat për anëtarësim të plotë në BE duke kurorëzuar ëndrrën shekullore të kombit për rikthim dhe ribashkim me familjen e përbashkët të vlerave evropiane", - tha z. Berisha. e.r/NOA

KOMENTE