Tiranë, 16 shtator NOA - Pas dekretimit të 15 ministrave të kabinetit të ri nga Presidenti i Republikës, qeveria "Berisha 2" pritet të votohet sot pasdite në Parlament.
Vendimi është marrë pas një marrëveshjeje mes kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli dhe kryeministrit, Sali Berisha.
Në faqen zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë është lajmëruar seanca e radhës, në të cilën do të miratohet programi politik i qeverisë për 4 vitet e ardhshme dhe përbërja e kabinetit.
"Bazuar në nenin 110, pika 1, të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë në të cilin thuhet se: "Data e seancës plenare për miratimin e programit politik dhe të përbërjes së Këshillit të Ministrave, në zbatim të nenit 97 të Kushtetutës, përcaktohet nga Kryetari i Kuvendit në marrëveshje me Kryeministrin", njoftojmë se, Kryetarja e Kuvendit në marrëveshje me Kryeministrin e Shqipërisë kanë vendosur mbledhjen e parlamentit në seancë plenare ditën e mërkurë, datë 16 shtator 2009 ora 18.00"- thuhet në njoftimin zyrtar nga Kuvendi.
b.a/NOA