Shkup, 17 shtator NOA-Ambasadori i Maqedonisë do të vijë në Kosovë, pas vendosjes së gurëve kufitarë, në gjatësinë prej 1 mijë e 200 metrash.
Kështu ka thënë kreu i shtetit maqedon, Gjorgje Ivanov, në një intervistë për Deutshe Wellen.
Duke folur për vonesën e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Kosovën, Ivanov ka deklaruar se "problemi i vetëm për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike varet nga pala kosovare".
Sipas tij, çdo gjë që ka të bëjë me kufirin nga ana e Maqedonisë është e kryer.
"Mbetet që tani komisioni kosovar të gjejë zgjidhje për vendosjen e gurëve kufitare në gjatësinë prej 1200 metrash, që të dërgojmë ambasadorin tonë në Prishtinë", ka deklaruar presidenti i Maqedonisë Gorgje Ivanov.
Ivanov thotë se Maqedonia, duke njohur pavarësinë e Kosovës, prishi marrëdhëniet me Serbinë.
"Me marrjen e postit prej meje, shfrytëzuam rastin për të rivendosur marrëdhëniet me Serbinë dhe ia arritëm qëllimit".
Ndërkohë, ish-ministri i Punëve të Brendshme të Maqedonisë, Lubomir Fërçkovski, ka thënë se problemi për zvarritjen e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën qëndron tek Serbia.
"Para një muaji një delegacion qeveritar nga Maqedonia ka qëndruar në Serbi, ku nga presidenti serb Tadiç, është kërkuar që kryeministri Gruevski t'i ftohë marrëdhëniet me Kosovën", ka thënë Fërçkovski.