Prishtinë, 17 shtator, NOA - 72 subjekte politike, kandidatë të pavarur, iniciativa qytetare e koalicione, si edhe 4 subjekte të natyrave të tjera kanë aplikuar pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit.
Lajmi u bë i ditur për mediat kosovare nga vetë kryetarja e KQZ në Prishtinë, Nesrin Lushta, e cila ndër të tjera ka dhënë edhe detajet mbi procesin si ai i kohëzgjatjes për çertifikimin e 72 subjekteve që është një periudhë ligjore prej 3 ditësh, gjatë së cilës do të shihet a janë plotësuar të gjitha dokumentet dhe a ka nevojë për ndonjë përmirësim të tyre.
"76 subjekte tërësisht kanë aplikuar, 4 prej tyre janë të certifikuara, domethënë i kemi edhe 72 aplikacione për certifikim, të cilat kanë ardhur në ditët e fundit, përfundimisht në datën e djeshme. Prej këtyre 72 subjekteve politike, 37 janë parti politike, 15 kandidatë të pavarur, 18 iniciativa qytetare dhe 2 koalicione. 34 subjekte janë të komunitetit shqiptar, 21 serb, 2 malazez, 3 turk, 1 romë, 2 ashkali, 1 egjiptian, 7 boshnjak dhe 1 goran", ka thënë Lushta. n.e/NOA