English

Kryeministri Berisha, letër kreut të KE Barrozo: Na mbështet në heqjen e vizave

Tiranë, 17 Shtator NOA - Pak orë pasi u emërua kryeministër për një mandat të dytë katërvjeçar, Kryeministri Sali Berisha i ka dërguar një letër z.Jose Manuel Barroso, me rastin e riemërimit të tij po dje, si President i Komisionit Evropian dhe e ka ftuar të rikthehet në Tiranë, duke i kërkuar mbështetje për integrimin.

"Rizgjedhja në krye të Komisionit Evropian është ripohimi më i shkëlqyer i përkushtimit, rolit dhe kontributit tuaj në konsolidimin e mëtejshëm të reformave, për një Bashkim gjithnjë e më të fortë e efikas, mbështetur në lirinë, demokracinë, shtetin e së drejtës e në respektimin e të drejtave të njeriut, gjithnjë e më pranë qytetarëve europianë, që do të jetë burim frymëzimi për të gjitha vendet tona, që dëshirojnë anëtarësim sa më të shpejtë, - i thotë Berisha, z.Barrozo.

Jam i bindur se përkushtimi dhe vizioni juaj, - vijon mesazhi, - do të shërbejnë si shtysa të fuqishme për kapërcimin e sfidave të mëdha, që qëndrojnë përpara Bashkimit Evropian, për çuarjen përpara të axhendës së tij reformuese, si edhe për vazhdimin e procesit jetik të zgjerimit.

Më tej, Berisha i thotë z.Barrozo se "qeveria shqiptare dhe unë personalisht kemi gjetur te personi Juaj një mik të madh e të shquar të Shqipërisë e të popullit shqiptar dhe një mbështetës të çmuar për realizimin e ëndrrës shekullore, për rikthim e ribashkim në familjen e vlerave të përbashkëta evropiane".

Kurse i kujton faktin se "vizita juaj, në shkurtin e vitit 2006, qe një shprehje e qartë e kësaj mbështetjeje dhe e ndjenjave të fuqishme të miqësisë".

Në këtë pikë, Berisha i thotë z.Barrozo se mbetet "me bindjen e thellë se edhe gjatë këtij mandati të ri do ta vazhdojmë bashkëpunimin e ngushtë e të shkëlqyer, që kemi ndërtuar gjatë këtyre viteve, në interes të së mirës së ndërsjellë të qytetarëve shqiptarë dhe atyre të BE-së".

Në mesazhin e tij të gjatë për z.Barrozo, Berisha ndalet dhe në faktin se "qeveria e sapokrijuar shqiptare është shpallur si Qeveri e Integrimit Evropian, pasi në themel të vizionit, programit dhe punës së vet, gjatë katër viteve të ardhshme, qëndron projekti madhor kombëtar i anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në BE".

Tashmë Shqipëria, - vijon mesazhi, - ka paraqitur kërkesën zyrtare për hapjen e negociatave për anëtarësim dhe po pret shqyrtimin e saj, me synim marrjen e statusit të kandidatit.

Ajo po punon për përmbushjen jo vetëm të kërkesave të udhërrëfyesit, por edhe për ndërmarrjen e hapave të mëtejshme për liberalizimin e vizave. Unë ruaj besim të thellë se "Ju, si President, dhe Komisioni i ri, që do të drejtoni, do të vazhdojnë të mbështesin përpjekjet tona për realizimin sa më të shpejtë të të dyja këtyre objektivave jashtëzakonisht të rëndësishme", - është kërkesa e Berishës, duke përfituar nga mundësia për ta uruar Barrozon.

Nga ana tjetër Berisha i ka premtuar z.Barrozo se "garantoj përkushtimin dhe angazhimin tim të plotë e të qeverisë shqiptare për të realizuar, me hapa të shpejta, çdo reformë, e për të përmbushur çdo kriter e standard, për t'ua plotësuar shqiptarëve ëndrrën për lëvizje të lirë në hapësirat evropiane dhe për ta parë vendin e tyre sa më shpejt anëtar të Evropës së lirë e të bashkuar".

e.r/NOA

Â

KOMENTE