English

Kryeministria citon OSBE-në: Qeveria e Shqipërisë punoi për zgjedhje të lira dhe të ndershme

Tiranë, 17 shtator NOA - Zyra e shtypit e kryeministrisë ka publikuar sot një deklaratë të përfaqësueses së Misionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në OSBE, në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së, në Vjenë, Carol Fuller, e cila përshëndeti qytetarët dhe qeverinë shqiptare për zgjedhjet parlamentare në Shqipëri.Â

Sipas kryeministrisë në këtë deklaratë shkruhet se Shtetet e Bashkuara përshëndesin qytetarët dhe qeverinë shqiptare për zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 28 qershor 2009.

Qeveria e Shqipërisë ka meritë për progresin e mirëfilltë në shumë fronte në këto zgjedhje dhe qytetarët e Shqipërisë meritojnë lavdërime për pjesëmarrjen në numër të madh në votim dhe për zhvillimin paqësor dhe me rregull të zgjedhjeve.

Rezultati i votës përfaqëson qartë vullnetin e popullit shqiptar.

"Raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR-it vuri re se zgjedhjet, ndërkohë që nuk shfrytëzuan potencialin e plotë të Shqipërisë, megjithatë arritën shumicën e angazhimeve të OSBE-së dhe demonstruan përmirësime thelbësore në procesin e regjistrimit të zgjedhësve, kornizën ligjore, në votim, numërim e votave dhe gjykimin e ankesave paszgjedhore.

Qeveria e Shqipërisë ka bërë një punë të besueshme në zhvillimin e instrumenteve të nevojshme për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Dispozitat e Kodit të ri Zgjedhor të miratuar në fund të vitit 2008, patën vlerë në reformimin e procesit zgjedhor" thuhej në deklaratën e Fuller që publikoi sot kryeministria.

Sipas kësaj deklarate, nxjerrja e listave të zgjedhësve nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile ishte gjithashtu një zhvillim domethënës dhe pozitiv.

Gjithashtu duhen lavdëruar përpjekjet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të përgatitur dhe administruar zgjedhjet me profesionalizëm dhe transparencë.

"Megjithatë, disa prej këtyre përmirësimeve nuk rezultuan plotësisht në një klimë të përmirësuar besimi, që patën si synim të çonin përpara. Kjo qe veçanërisht e vërtetë në fushën e njëanshmërisë së medias dhe politizimin e aspekteve të votimit.

Politizimi i aspekteve teknike të procesit, përfshirë gjatë procesit të numërimit të votave dhe nxjerrjes së rezultatit, si dhe shkelje të vëzhguara gjatë fushatës, minuan besimin publik në procesin zgjedhor.

Ne jemi dakord me ODIHR-in se zhvillimi i zgjedhjeve demokratike varet shumë në angazhimin e të gjitha partive politike për të respektuar germën dhe qëllimin e ligjit.

Ne kemi besim se Qeveria dhe populli i Shqipërisë do të studiojnë me kujdes rekomandimet e gjithanshme të dhëna nga ODIHR-i në Raportin e tij Përfundimtar dhe do të promovojnë ndryshimet e nevojshme për Shqipërinë për të realizuar potencialin e saj për të arritur standardet më të larta për zgjedhje demokratike" thuhej në deklaratën e përfaqësues së OSBE-së.

k.k/NOA

KOMENTE