Tiranë, 17 shtator NOA-Ministri i ri i Mbrojtjes në qeverinë "Berisha 2", Arben Imami është prezantuar sot para stafit me të cilin do të bashkëpunojë në vitet e ardhshme.
Ndërrimi i posteve në këtë ministri është kryer përmes një ceremonie ku ish ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa dhe ministri i ri që mori detyrën, Arben Imami, kanë kaluar  në revistë para truprojes së nderit dhe nën marshet e Orkestrës Frymore.
Pas ekzekutimit të Himnit Kombëtar ceremonia ka vazhduar me një takim me stafin drejtues të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të FA-së.
Oketa i dorëzoi Ministrit Imami Emblemën e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Dosjen e Dokumenteve të ministrit të Mbrojtjes.
Në fjalën e tij ish ministri Oketa ka theksuar se koha e detyrës së tij përkoi me marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO në Samitin e Bukureshtit, ndërsa një vit më pas me pranimin me të drejta të plota të Shqipërisë në këtë Aleancë.
 Ministri i Mbrojtjes Arben Imami falenderoi për pritjen dhe ceremoninë e organizuar me këtë rast.
"Siguria e vendit është një nga themelet e shtetit dhe për këtë si ministër i Mbrojtjes ndjehem i obliguar", tha Imami.
Â