Tiranë, 17 shtator, NOA Update - Përmes një ceremonie të veçantë, e cila u hap me himnin kombëtar, 15 ministrat e kabinetit të ri qeveritar, kryesuar nga kryeministri Sali Berisha kryen sot betimin para Presidentit të Republikës, Bamir Topi në kuadrin e nisjes së qeverisjes 2009-2013 të vendit.
Ajo u pasua nga leximi i dekretimit 6244 të Presidentit i cili citon: "Në mbështetje të neneve 93, 96 dhe 98 të Kushtetutës së Shqipërisë, me propozim të Kryeministrit, presidenti dekreton emërimin e Këshillit të Ministrave me përbërjen si më poshtë: Sali Berisha, Kryeministë; Ilir Meta, Zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme; Majlinda Bregu, ministre e Integrimit; Lulzim Basha, ministër i Brendshëm; Arben Imami, ministër i Mbrojtjes; Ridvan Bode, ministër i Financave; Dritan Prifti, ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës; Bujar Nishani, ministër i Drejtësisë; Sokol Olldashi, ministër i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit; Myqerem Tafaj, ministër i Arsimit dhe Shkencës; Petrit Vasili, ministër i Shëndetësisë; Spiro Ksera, ministër i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta; Genc Ruli, ministër i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit; Ferdinand Xhaferi, ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve; Fatmir Mediu, ministër i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujerave dhe Genc Pollo, ministër Shteti për Reformat dhe Marrëdhëniet me Kuvendin".
Që të gjithë ministrat e rinj, sipas kësaj renditje kanë firmosur më pas aktin e betimit mbi tryezën e Presidentit të Republikës, në të cilin thuhej saktësisht se ata premtonin qeverisjen e vendit në interes të tij dhe popullit shqiptar.
Finalizimi i këtij akti i lejon në mënyrë zyrtare qeverisjes së re me 15 ministrat e drejtuar nga kryeministri Berisha nisjen e punës për drejtimin e vendit gjatë periudhës së viteve 2009-2013.
n.e/NOA