Tiranë, 17 shtator NOA-Nga pozitat e ministrit të Jashtëm, kreu i LSI Ilir Meta, ka deklaruar se do të bashkëpunojë me të gjithë forcat aleate për kryerjen e reformave që do ta çojnë vendin drejt realizimit të ëndrrës për të qenë në familjen evropiane.
Në fjalën e mbajtur para stafit të ministrisë së Jashtme, Meta i ka bërë thirrje opozitës të ushtrojë përgjegjësitë e saj në mënyrë konstruktive dhe atdhetare për Reformën e ardhshme zgjedhore.
Më pas, Meta ka përshëndetur vlerësimet shumë pozitive të përfaqësuesve të Presidencës suedeze të BE-së dhe SHBA-së, lidhur me zgjedhjet parlamentare të 28 Qershorit, të cilat evidentojnë qartë arritjet dhe progresin e dukshëm në shumicën e objektivave, për standardet e këtyre zgjedhjeve.
"Qeveria e integrimit evropian falënderon OSBE-ODIHR si dhe partnerët tanë kryesorë, BE dhe SHBA për mbështetjen e jashtëzakonshme dhe permanente që japin për progresin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës", tha Meta.