Tiranë, 17 shtator NOA - Një 39-vjeçar është goditur disa herë me thikë pas një sherri me një 32-vjeçar në qendër të Tiranës.
Ngjarja ka ndodhur sot rreth orës 15.30 në rrugën "Abdyl Frashëri", në afërsi të Librit Universitar në Tiranë, kur është plagosur me thikë, 39-vjeçari Spartak Qirjaqi. Efektivat e komisariatit të policisë nr.2, menjëherë pasi u njoftuan për plagosjen mbërritën në vendin e ngjarjes për të zbuluar shkaqet dhe autorin e saj.
Burime nga policia thanë se nga hetimet e para u identifikua si autor i dyshuar i plagosjes 32-vjeçari Arben Bulku.
Burime nga policia thanë për agjencinë e lajmeve NOA se mes autorit dhe të dëmtuarit nisi një sherr i çastit i cili pas fjalëve fyese të ndërsjella pasoi me goditjen me sende të forta të 39-vjeçarit në drejtim të Bulkut.
Më pas Bulku ka nxjerrë një thikë dhe ka goditur tre herë në trup Qirjaqin.
Policia arrestoi menjëherë autorin e dyshuar ndërsa i dëmtuari u transportua në Spitalin Ushtarak ku ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
k.k/NOA