English

Promovohet enciklopedia maqedonase, reagojnë kundër historianët shqiptarë

Shkup, 17 shtator, NOA - Akademia e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë (ASHAM) në praninë edhe të kryeministrit Nikolla Gruevski dje ka promovuar Enciklopedinë të ashtuquajtur "Maqedonase" dhe jo të "Maqedonisë", ku përmblidhen fakte kryesisht që kanë të bëjnë çështjen sllavo-maqedonase dhe duke mos përfshirë asnjë element të rëndësishëm shqiptarë.

Në prezantimin e kësaj vepre, kryetari i ASHAM, Georgi Stardelov ka theksuar se kjo enciklopedi nxjerrë në shesh fatin e kombit dhe popullit maqedonas dhe rrugëtimin e tij. Me fjalime të tyre rreth kësaj vepre janë paraqitur edhe akademikët Vllado Kambovski dhe Gane Todorovski.

Kryetari i Shoqatës së Historianëve në Maqedoni, prof.dr. Nebi Dervishi ka theksuar se kjo enciklopedi është në vazhdën e projekteve fashizoide që i përgatit Bllazhe Ristevski me bashkëpunëtorë në krye me Pasko Kuzmanin.

"Ky projekt është në vazhdën e projekteve të mëparshme antishqiptare dhe për këtë çështje si shoqatë do të ngrejmë zërin dhe do të hedhim poshtë këtë projekt të tillë që është kryekëput maqedonas", ka theksuar historiani Dervishi.

Sipas tij, përderisa nuk merr pjesë asnjë historian shqiptarë në përpilimin dhe përgatitjen e saj kjo nënkupton se është krejtësisht antishqipare. "Kjo enciklopedi qëllimin kryesor e ka që shqiptarët t'i përjashtojë nga antikiteti deri në shekullin 17 dhe të dëshmojë se kinse shqiptarët janë të ardhur ", ka theksuar kryetari i shoqatës së historianëve, prof.dr. Nebi Dervishi, duke paralajmëruar që është momenti i fundit për një Enciklopedi paralele të shqiptarëve.

Edhe historiani prof.dr. Vebi Xhemaili ka theksuar se këto punime shkencore janë tendencioze kundër autoktonisë së shqiptarëve dhe vlerave të mirëfillta të trungut shqiptar. "Për ne shqiptarët është e papranueshme kjo enciklopedi e tyre e shkruar në mënyrë tendencioze. Prandaj, në anën tjetër, shqiptarët dhe brezi i ri asnjëherë nuk do ta përdor këtë dokument dekstruktiv dhe të rrezikshëm për të ardhmen", ka theksuar ligjëruesi universitar në USHT, Vebi Xhemaili.

NOA-INA

KOMENTE