Tiranë, 17 shtator NOA - Betimi i qeverisë së re ka sjellë dhe reagimin e Partisë Socialiste e cila ka deklaruar se Sali Berisha dhe Ilir Meta u betuan sot përpara Presidentit pasi shkelën të gjitha betimet e bëra përpara popullit.
"Sali Berisha u betua se do të luftonte korrupsionin dhe bënte zgjedhje të lira e të ndershme, në fakt u bë mbreti i korrupsionit dhe bëri zgjedhje që nuk ishin as të lira e as të ndershme.
Ilir Meta u betua se do të nxirrte në pension Sali Berishën dhe do të hiqte nga kurrizi i shqiptarëve qeverinë e Gërdecit, në fakt mbajti në punë Sali Berishën dhe hipi edhe vetë në kurrizin e shqiptarëve duke u bërë pjesë e qeverisë së Gërdecit" deklaroi sot në një deklaratë për shtyp në emër të Partisë Socialiste, Olta Xhaçka.
"Kjo qeveri është shëmbëlltyra e deformimit të rëndë të moralit të politikës e të qeverisjes në Shqipëri dhe pushteti i saj, i prodhuar me manipulime e korrupsion elektoral nga Sali Berisha si edhe me vota të trafikuara nga e majta në të djathtë nga Ilir Meta, është një pushtet që do të thellojë krizën e demokracisë, të shtetit të së drejtës e të ekonomisë së vendit, do të rrisë varfërinë e papunësinë, por padyshim do të rrisë edhe përfitimet e paligjshme të këtij grupi interesash familjare e klanore që do të ndeshë në rezistencën e palëkundur të opozitës" shtoi më tej Xhaçka.
Sipas saj. Sali Berisha kërkon që opozita të hyjë në Kuvend, por socialistët janë gati ta bëjmë që nesër nëqoftëse u jepet e drejta legjitime e demokratike të bëjmë transparencë të plotë për zgjedhjet e 28 qershorit duke hapur kutitë e votimit përpara popullit shqiptar.
 "Sali Berisha kërkon që ne të hyjmë në Kuvend për të bërë opozitën e qeverisë së dytë të Gërdecit, por e sigurojmë atë vetë, bashkë me Ilir Metën, se opozitën do ta gjejnë përballë në çdo hap të tyre, përditë e më të vendosur për t'i dhënë fund shëmtirës që kjo qeveri të pandehurish e të kërkuarish mishëron në mes të Europës, duke u mohuar shqiptarëve zgjedhje të standardeve vërtet evropiane dhe duke i shkelur kundërshtarëve liritë e të drejtat e tyre themelore.
Partia Socialiste nuk shitet dhe nuk i shet zgjedhjet e 28 qershorit, ashtu siç nuk shet as të gjithë ata mbështetës të saj që Sali Berisha dhe Ilir Meta po i heqin përditë nga puna për të instaluar në Shqipëri një regjim kusarësh që do të gjejë atë që meriton: Reagimin më të ashpër të mundshëm të Partisë Socialiste" përfundoi Xhaçka.
k.k/NOA
Â
Â
Â