Vendimi më i diskutueshëm i qeverisë "Berisha 1", do të vazhdojë pa afat. Kjo do të thotë se asnjë mjet lundrues shqiptar ose i huaj nuk mund të qarkullojë në ujërat shqiptare, veç atyre për transport masiv mallrash e udhëtarësh, si anijet dhe tragetet
Tiranë, 17 Shtator NOA - Qeveria e re "Berisha 2",
nuk ka ndërmend të zbatojë vendimin e saj të mëparshëm për skadimin e afatit trevjeçar të moratoriumit antiskaf në ujërat e Shqipërisë duke paralajmëruar se një kufizim i tillë do të vazhdojë pa afat.
Kjo do të thotë se asnjë mjet lundrues shqiptar ose i huaj nuk mund të qarkullojë në ujërat shqiptare, veç atyre për transport masiv mallrash e udhëtarësh, si anijet dhe tragetet.
Vendimin e publikoi kryeministri i mandatuar për të dytën herë, Sali Berisha, i cili tha gjatë prezantimit të programit politik se Qeveria e Integrimit Evropian, si një ndër përparësitë më madhore të saj, do të ketë sigurinë më të lartë të jetës, pronës dhe veprimtarisë së qytetarëve shqiptarë, luftën me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar, bashkëpunimin dhe partneritetin luajal në këtë fushë, në rajon dhe më gjerë.
Në këtë kuadër, Berisha veçoi se "Shqipëria do të mbajë në fuqi moratoriumin për skafet".
Sipas tij, lufta me zero tolerancë kundër krimit të organizuar, solli si rezultat çmontimin e mbi 206 grupeve dhe organizatave kriminale, rënien e treguesve të kriminalitetit nën mesataren e vendeve anëtare të BE, rënien e ndjeshme të trafiqeve kriminale, trafikut të njerëzve, drogës, etj.
"Në katër vitet që vijnë, kjo luftë do të vazhdojë me vendosmërinë më të madhe. Shqipëria do të ecë drejt niveleve të ulëta të kriminalitetit në rajon dhe Evropë", - premtoi kryeministri.
Ai shtoi se kontrolli i integruar i kufijve, sistemi i ri i identifikimit të qytetarëve, janë një mbështetje e fuqishme për këtë objektiv.
Kurse siguroi se lufta kundër trafikut të qenieve njerëzore do të përbëjë një ndër përparësitë më madhore në kuadrin e tolerancës zero ndaj krimit të organizuar dhe premtoi se "Policia shqiptare do të pajiset me mjetet më modern për luftën kundër të gjitha formave të krimit të organizuar".
Disa analistë, e shohin këtë vendim të papritur të Berishës, për mos abrogimin e moratoriumit antiskaf, si një përpjekje të detyruar të tij për të bindur ndërkombëtarët se lufta antitrafik do të vijojë me masat më ekstreme të mundshme që ka në dorë shteti.
Në të vërtetë, ky moratorium ishte pritur goxha mirë nga faktori ndërkombëtar sidomos vendet fqinjë si Italia.
Madje burime të ndryshme bëjnë të ditur se kryeministrit i është sugjeruar mos abrogimi i ligjit antiskaf, me qëllim që Bashkimi Evropian të ketë sa më pak mundësi apo hapësira që të vonojë heqjen e vizave për shqiptarët, nisur dhe nga fakti se kushti i vetëm i mbetur për liberalizimin, është ai i kufijve dhe pasaportave biometrike që identifikojnë shtetasit edhe përmes gjurmëve të gishtërinjve.
e.r/NOA - Komentoni më poshtë, vendimin për të vazhduar ndalimin e lundrimit në det: