Uashington, 17 shtator NOA-Shtëpia e Bardhë po distancohet nga opinioni në rritje se protestat e fundit kundër presidentit Obama janë të motivuara nga racizmi.
Para pak ditësh, ish presidenti Xhimi Karter tha se disa amerikanë po e kundërshtojnë zotin Obama pasi mendojnë se një afrikano-amerikan nuk duhet të jetë president.
Ish presidenti i bëri komentet në përgjigje të protestës së ligjvënësit republikan Xho Uillson gjatë fjalimit të zotit Obama në një sesion të Kongresit javën e kaluar.
Kreu i Partisë Republikane Majkëll Still, i cili është afrikano-amerikan, tha se nuk ishte dakord me pikëpamjen e zotit Karter duke e quajtur atë të gabuar.