Tiranë, 17 Shtator NOA - Në mjediset e Universitetit Politeknik të Tiranës, Senati i Universitetit, zhvilloi ceremoninë e dorëzimit të diplomës "Doctor Honoris Causa" z. Leonard Barolli, një personalitet i shquar në fushën e Teknologjisë së Informacionit, në mjediset botërore akademike.
Ky aktivitet u zhvillua nën kujdesin e Profesor, Doktor, Akademik, Jorgaq Kacanit, Kryetar i Konferencës së Rektorëve, njëkohësisht rektor i Universitetit Politeknik të Tiranës.
Pjesëmarrja në këtë aktivitet ishte ne rang akademik, kombëtar dhe ndërkombëtar, ku nga pala shqiptare merrnin pjese, Kryetari i Akademisë së Shkencave,Akademik, Prof.Dr. Gudar Beqiraj, Rektori i Universitetit të Tiranes Prof.Dr. Dhori Kule, Rektori i Universitetit Bujqësor të Kamjes Prof.Dr. Fatos Harizaj etj.
Po ashtu, gjendej edhe një delegacion prej 17 përfaqësuesish në rang akademikë nga Universiteti ‘Fukuoka" në Japoni.
Fjalën e hapjes e mbajti Rektori Universitetit Politeknik, Akademik Jorgaq Kacani. Ai ndër të tjera përmendi punën e çmuar që z.Barolli ka dhënë gjatë këtyre viteve, si profesor me titullin Full Professor pranë Universitetit të Fukuokas (Fukuoka Institute of Technology), Japoni.
Kaçani tha se prof. Barolli është një njeri me vizion dhe me përkushtim për të ndihmuar vendin e tij të origjinës.
"Ai është përpjekur gjatë gjithë këtyre viteve për të sjellë eksperiencën personale, por edhe më gjerë në Shqipëri", - theksoi Kaçani.
Prof. Barolli, si student i diplomuar pranë Universitetit Politeknik (ish-Universiteti Shtetëror i Tiranës), ka treguar vendosmëri të madhe për të krijuar lidhjet midis UPT dhe universiteteve në Japoni, ku ai punon prej afro 20 vitesh.
Në vitin 2000 Prof. Barolli filloi kontaktet e para të bashkëpunimit të ekipeve me profesorë të shquar nga disa universitete me zë në Japoni, me Universitetin Politeknik të Tiranës.
Prof. Barolli ka ndikuar direkt në krijimin e një ure komunikimi me Universitetet e Japonisë, për të krijuar grupet e para të bashkëpunimit në kërkimin shkencor me laboratoret e këtyre universiteteve.
Në vitet 2002 deri 2008 janë realizuar vizitat e disa profesorëve të universiteteve japoneze, të cilat krijuan mundësinë e bashkëpunimit për të mbështetur kërkimin shkencor me studentët më të mirë dhe me pedagogët tanë të rinj për studimet e doktoratës.
Në sajë të kontributit të Prof. Barollit është bërë e mundur mbështetja me pjesëmarrje në konferenca ndërkombëtare të IEEE (International Electrical and Electronic Engineering) në Angli, Austri, Spanjë, Japoni, etj., të pedagogëve të UPT.
Nga ana e tij, Barolli përmendi se si ish-student i këtij universiteti, ndihet i lumtur dhe i emocionuar për këtë nderim që i bën universiteti në të cilin ka studiuar.
Barolli ka theksuar se "do të bëj të pamundurën për të rritur në ritme më të larta frymën e bashkëpunimit ndërmjet dy universiteteve, atij Politeknik dhe Universitetit Fukuoka në Japoni".
Rreth Barollit
Leonard Esat Barolli ka lindur më 17 Korrik 1965 në Bilisht. Ka ndjekur studimet e larta dhe është diplomuar në Universitetin e Tiranës në vitin 1989 pranë Departamentit të Elektronikës.
Në vitin 1993 ka mbrojtur Doktoratën pranë Universitetit Yamagata, Japoni.
Ka eksperienca në fushën e mësimdhënies në Institute dhe Universitete në Japoni dhe në Shqipëri.
Nga viti 1997 deri 1999 ka marrë pozicionin Kërkues shkencor Pasdoktorate (Post Doctor Fellow Researcher) pranë Universitetit të Yamagatës (Yamagata University), Japoni.
Nga viti 1999 deri 2002 ka marrë pozicionin Kërkues shkencor (Research Associate) pranë Universitetit të Yamagatës (Yamagata University), Japoni.
Nga viti 2002 deri 2003 ka marrë pozicionin Asistent Profesor (Asistant Professor) pranë Universitetit të Saitamës (Saitama Institute of Technology), Japoni.
Nga viti 2003 deri 2005 ka marrë pozicionin Profesor i asociuar (Associate Professor) pranë Universitetit të Fukuokës (Fukuoka Institute of Technology), Japoni.
Që nga viti 2005 ka marrë pozicionin Profesor (Full Professor) pranë Universitetit të Fukuokës (Fukuoka Institute of Technology), Japoni.
Ka eksperienca në fushën e mësimdhënies në Institute dhe Universitete në Japoni dhe në Shqipëri.
Ai ka botuar 18 libra kryesisht në Japoni si dhe 98 artikuj në revista të ndryshme si IEICE, IPSJ journal, CCI journal JOIN, etj..
Ka marrë pjesë në 11 Projekte shkencore, nga të cilat 4 me kontribut direkt për Shqipërinë dhe ka organizuar Workshope internacionale në 12 fusha të rëndësishme të Teknologjive të Informacionit.
Po ashtu ka organizuar Konferenca internacionale në 25 fusha të rëndësishme të Teknologjive të Informacionit, ku ka qenë kryetar, ose bashkëkryetar i Komitetit organizues.
Ndërkaq, ka marrë pjesë dhe paraqitur 148 artikuj shkencorë në Konferencat më prestigjioze ndërkombëtare, shumica e të cilave janë mbështetur nga IEEE.
a.k/NOA