English

Lëvizja Qytetare "ZGJOHU!" reagon e irrituar për falsifikimin e akademikëve në Shkup

Shkup, 18 shtator NOA - Lëvizja Qytetare "ZGJOHU!" deklaroi sot se ajo ashtu si dhe çdo qytetar shqiptar në Maqedoni shprehen jashtëzakonisht të fyer me përmbajtjen skandaloze dhe trushpërlarëse të Enciklopedisë së parë Maqedonase, të promovuar këto ditë nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë (FYROM).

Veprimet e vazhdueshme të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë krijojnë përshtypjen që detyra e vetme e këtij institucioni është që të funksionojë si laborator për përvetësimin e figurave historike shqiptare, falsifikimin e historisë, në veçanti asaj të popullit shqiptar, si dhe të shpërlajë trurin e popullit të vet. Dyshojmë që projektet e ASHAM përpilohen në Beograd dhe kanë qëllime djallëzore, pohon Lëvizja.

ZGJOHU! konsideron që ky institucion me agjendë politike, që propozoi ndarjen e Maqedonisë në vitin 2001, po nxit urrejtje ndërnacionale dhe po rrezikon marrëdhëniet ndëretnike në vend.

ZGJOHU! kërkon nga Qeveria, si financuese e këtij projekti, të distancohet nga përmbajtja e Enciklopedisë ndërsa Akademia urgjentisht t'i kërkojë falje popullit autokton shqiptar të këtyre trojeve si dhe të përmirësojë Enciklopedinë duke e tërhequr nga tregu.

Lëvizja Qytetare "ZGJOHU!" alarmon intelektualët shqiptar, akademikët shqiptar - pjesë e këtij institucioni politik, si dhe kontribuesit shqiptar të Enciklopedisë që të ngrenë zërin e protestës dhe të distancohen nga përmbajtja skandaloze dhe tendencioze e këtij proekti makjavelist.

"Të nderuar akademiko-politikanë, Shkupin e njeh historia botërore si kryeqendër të Dardanisë, si kryeqendër të Vilajetit të Kosovës dhe Shkupi njihet për frymën shqip tash e 3500 vjet dhe asnjë projekt ose dëshirë djallëzore e juaja nuk do ta ndalon frymëmarrjen e mushkërive shqiptare në njërën prej kryeqendrave të kombit", - përfundon reagimi, nga Lëvizja Qytetare "ZGJOHU!".

xh.r/e.r/NOA/

KOMENTE