English

Ministri i Arsimit, Tafaj kundërshton Vlorën: Nuk do mbetet asnjë student i paregjistruar

Tiranë, 18 shtator NOA - Ministri i Arsimit dhe Shkencës Myqerem Tafaj në ditën e dytë të punës së tij si ministër ka marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të organizuar nga Universiteti i Tiranës dhe Akademia e Shkencave me temë "Menaxhimi i Ndotjes së Mjedisit dhe Mbrojtja e tij".

 "Është kënaqësi të filloj ditën e punës me pjesëmarrjen time në një konferencë shumë të rëndësishme, që organizohet nga Universiteti i Tiranës në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave dhe Shoqatën Shkencore të Mjedisit të Ballkanit, një fushë e rëndësishme për ne dhe që përkon me prioritetet tona.

Sigurisht kjo është vetëm një nga prioritetet, është pjesë integrale e të gjithë programit tonë që prek Arsimin e Lartë dhe Shkencën. Ne e konsiderojmë Kërkimin Shkencor të integruar me Arsimin e Lartë dhe në radhë të parë në shërbim të Arsimit të Lartë dhe sigurisht në shërbim të zhvillimit të shpejtë të ekonomisë dhe të shoqërisë shqiptare" tha Tafaj para mediave.

Ndërkohë që për sa i përket fillimit të vitit të ri shkollor ministri Tafaj tha: "Mendoj se ne kemi një fillim të mbarë të vitit shkollor. Po mbyllet java e parë dhe në të gjithë vendin mësimi ka filluar rregullisht.

Natyrisht që aty-këtu mund të kemi ende probleme të vogla, probleme normale të fillimit të një viti shkollor.

Por investimet që ka bërë qeveria në mandatin e parë kanë qenë aq të mëdha sa që kanë zbutur shumë probleme. Kjo nuk do të thotë që nuk kemi ende probleme për të zgjidhur, por programi jonë është i qartë. Në fund të 4-vjeçarit të qeverisë Berisha II, ne nuk do të kemi asnjë shkollë të pa rikonstruktuar dhe do të kemi shkolla të reja aty ku është e nevojshme."

Ministri i ri i Arsimit ka folur edhe për regjistrimet në universitete që sipas tij Universitetet kanë përballuar me sukses një numër dy herë më të madh studentësh në mandatin e parë.

"Ka qenë një sfidë për universitetet, ka qenë një bashkëpunim i shkëlqyer, një mbështetje e fuqishme që ata i kanë dhënë objektivave politike.

Qeveria në mandatin e dytë do të investojë me përparësi në ndërtim godinash të reja, deri në kampuse të reja.

Profesor Kule është rektori i UT-së dhe e di që së bashku kemi parashikuar kampus për UT-në, kampuse të tilla do të kemi edhe për universitetet e tjera. Ne do të fillojmë me ndërtimin e kampuseve, për të përballuar rritjen e numrit të studentëve drejt asaj shifre, 150.000 studentë. Dhe Shqipëria duhet të ketë 150.000 studentë" tha Tafaj.

Në lidhje me Maturën Shtetërore Ministri tha se: "Matura Shtetërore do të konsolidohet drejt një Mature Shtetërore të standardeve evropiane, që gjimnazistët shqiptarë të hyjnë në çdo shkollë të Evropës dhe të Botës pa asnjë provim plotësues.

Sigurisht universitetet kanë të drejta të plota të vendosin kritere në bashkëpunim me MASH, për ta rritur nivelin e Maturës Shtetërore.

Standardizim do të thotë që çdo gjimnazist shqiptar të ndihet i barabartë me bashkëmoshatarët në Evropë, çdo student shqiptar të ndihet i barabartë me bashkëmoshatarët në Evropë dhe më gjerë. Ashtu siç e kemi deklaruar, lista e kandidatëve që ka nxjerrë Agjencia e Pranimit në shkollat e larta, për fazën e parë, është listë zyrtare dhe është e detyrueshme për tu zbatuar nga çdo Institucion i Arsimit të Lartë publik"

Por rektori i Universitetit të Vlorës i cili ka vendosur që të mos regjistrohen në universitet maturantët me mesataren nën 6 ka sjellë dhe reagimin e ministrit të ri i cili u shpreh se nuk do mbetet asnjë student i paregjistruar.

k.k/NOA

KOMENTE