Gjirokastër, 18 shtator, NOA - Forcat e policisë kanë ndaluar 23-vjeçarin Armand Hyseni, lindur dhe banues në fshatin Kodër të Tepelenës.
Sipas të dhënave policore për agjencinë e Lajmeve NOA, ndalimi i tij u bë për arsye se  në fshatin Kodër, në tokën e mbjellë me ullinj, pronë e banorit me inicialet K.SH, ka rënë zjarr i cili ka përfshirë edhe ullinjtë.
Sipërfaqja e përfshirë nga zjarri ishte rreth një hektar, e mbjellë me pemë ullinj të cilët janë përcëlluar nga zjarri, por pas ndërhyrjes së banorëve të fshatit, të repartit zjarrfikës dhe të forcave të policisë zjarri është vënë nën kontroll dhe është shuar plotësisht.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se Armand Hyseni dyshohet se është autor i kësaj ngjarje.
Madje ka qenë po ky person i cili ka debatuar me djalin e të dëmtuarit, duke e kërcënuar për jetë, pasi ai e akuzonte se kishte vënë zjarre në mal, por edhe [për një sasi rrënjësh bimë narkotike Kanabis Sativa të cilat janë shkatërruar nga policia në fshatin Kodër para disa ditësh.
Armand Hyseni dyshohet se është autor i ngjarjes së datës 29.08.2009, ku në fshatin Kodër të Tepelenës janë prerë nga policia dhe janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 105 rrënjë bimë narkotike të llojit kanabis sativa.
n.e/NOA