English

Plani Obama për heqjen e raketave nga Evropa kritikohet nga republikanët

Uashington, 18 shtator, NOA - Plani i prezantuar nga presidenti i ri i SHBA-ve për heqjen dorë nga instalimi i sistemit mbrojtës të raketave dhe radarëve në Poloni apo Republikën Çeke, ka shkaktuar mjaft reagime në Shtëpinë e Bardhë.

Pasi Presidenti Obama komunikoi zyrtarisht thotë se po heq dorë nga propozimi i administratës Bush duke e zëvendësuar atë me një plan që është më elastik dhe më i efektshëm, efektet e deklaratës kanë qenë të shumta, shumica të kundërta.

Reagimet nga pakica republikane ishin përgjithësisht kritike. Përfaqësuesi republikan nga Illinoi Mark Kërk e quajti vendimin e presidentit një goditje për Polonin dhe inkurajim për Iranin:

"Irani, një shtet që sponzorizon terrorizmin, tani prodhon raketën me rreze më të gjatë veprimi në botën terroriste. Vendimi i administratës është veçanërisht ironik sepse Polonia sapo ka bërë publike planet e saj për të dërguar më shumë trupa në Afganistan për të shërbyer krah për krah amerikanëve. Amerika po e zhgënjen Poloninë, duke u dërguar një mesazh dobësie aleatëve tanë polakë dhe njerëzve që po ndërtojnë arsenalin e ri raketor të Iranit", tha ai.

Ndërsa udhëheqësi i pakicës republikane në Dhomën e Përfaqësuesve, Xhon Bejnër, tha se vendimi i presidentit Obama fuqizon Rusinë dhe Iranin në kurriz të aleatëve të Amerikës në Evropë.

Por Obama e ka argumentuar një plan të tillë duke thënë se e mori këtë vendim nisur në një masë të madhe nga informacionet e reja të zbulimit që tregojnë se Irani po përqendrohet në prodhimin e raketave me rreze të mesme dhe të shkurtër veprimi. Ndërsa politika e mëparshme për mbrojtjen nga raketat bazohej mbi supozimin se Teherani po përpiqej të zhvillonte aftësi për prodhimin e raketave me rreze të gjatë veprimi.

Ndërkaq, planet për një sistem të mbrojtjes nga raketat në disa pjesë të ish bllokut sovjetik kanë qenë një element irritimi mes Uashingtonit dhe Moskës.

Por duke bërë këtë njoftim, Presidenti Obama përsëriti se motivi i Amerikës për një mburojë antiraketë nuk ka patur kurrë të bëjë me Rusinë.

n.e/NOA

KOMENTE