Nga Rajmonda Lajthia
Tiranë, 18 shtator NOA - Dritan Prifti e ka nisur ditën e parë të punës si ministër i Ekonomisë me konsultime nga përfaqësues të komunitetit të biznesit.
Takimi i parë ishte me kryetarin e Dhomës Amerikane të Tregtisë, të cilit i prezantoi edhe programin e qeverisë.
Gjatë takimit Prifti e vuri theksin në partneritetin që do të krijojë me biznesin, pa të cilin nuk mund të hapen 160 mijë vende pune.
Ministri premtoi se brenda dy viteve do të vërë në funksionim Bursën e Tiranës, një projekt i vjetër ky i cili për vite me radhë ka dështuar.
Ai gjithashtu premtoi se agjencia Albinvest e cila sot shërben për të thithur investitorë të huaj do të kthehet në një sportel të vetëm për biznesin e huaja.
Sipas Priftit, kjo agjenci do të funksionojë si një One Stop Shop, ku biznesi do të gjejë të gjitha lejet dhe licencat që i duhen.
Kryetari i Dhomës Amerikane të Tregtisë Phipilpe Bay i kërkoi ministrit një kërkesë të thjeshte sipas tij por të rëndësishme, kërkesë që gjeti mbështetjen e ministrit Prifti.
"Ne kërkojmë që sa herë të jetë e nevojshme të takojmë ministrin, ky takim të na realizohet brenda 24 orëve. Kjo do ti shërbejë një klime të favorshme mes palëve"- u shpreh Bay.
Hapi i dytë i punës për ministrin e Ekonomisë do të jetë mbledhja e Këshillit Konsultativ të Biznesit, në të cilën kërkon të informohet për problematikat që shoqëron sipërmarrjen private.
r.l/NOA
Â