English

Qeveria miraton strategji të re për administratën, Berisha: Të forcohet shërbimi civil

Tiranë, 18 shtator, NOA - Në mbledhjen e tij të dytë, kabineti i ri qeveritar sot ka marrë vendime të rëndësishme, të cilat kanë të bëjnë kryesisht me ecurinë dhe rritjen e efikasitetit të punës në administratën publike.

Sipas të dhënave për agjencinë e Lajmeve NOA nga mbledhja e qeverisë, është miratuar dokumenti i Strategjisë për Administratën, i cili përmban projektin e qeverisë për përmirësimin e kualitetit të saj.

Lidhur me një fakt të tillë, kryeministri Berisha mësohet të jetë shprehur se "administrata publike është një pasuri e vendit" dhe si e tillë, ajo duhet stimuluar dhe ndihmuar që të bëjë më efikase funksionimin e saj.

"Për këtë, duhet që të fuqizohet shërbimi civil, të bëhen përpjekje për fuqizimin e administratës si edhe sa më shumë kualifikime në shërbimet publike", ka thënë më pas kryeministri.

Sipas tij, është pikërisht efikasiteti i administratës i cili përbën një nga faktorët përcaktues vendimtar për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, prandaj sikundër roli i saj po rritet dhe vështirësohet, ashtu ai edhe duhet ndihmuar për të qenë sa më eficent në rrugën e gjatë të këtij procesi.

n.e/NOA

KOMENTE