English

Teknikat novatore sjellin shërbime më të mira - bashkitë ekspozojnë arritjet e tyre

Tiranë, 18 shtator, NOA - Njësitë e pushtetit vendor anembanë vendit po zbatojnë ide novatore për të nxitur qeverisjen e mirë, për të përmirësuar ofrimin e shërbimeve, dhe për të qenë sa më të përgjegjshëm ndaj qytetarëve.

Përfaqësues nga 65 bashki, komuna, OJQ, qeveria qendrore, donatorë të huaj dhe aktorë të tjerë të interesuar u mblodhën për Konferencën e Praktikave më të Mira të Qeverisjes Vendore 2009 për t'u njohur dhe mësuar nga praktikat më të mira të përdorura nga njësitë e pushtetit vendor në Shqipëri.

Konferenca e Praktikave më të Mira 2009 e organizuar në Muzeun Historik në Tiranë i dha mundësi njësive të pushtetit vendor për të paraqitur arritjet e tyre më të fundit në zbatimin e praktikave të ngjashme në territoret e tyre dhe në përmirësimin e cilësisë së qeverisjes vendore.

Presidenti i Republikës Bamir Topi dhe Drejtoresha e Misionit te USAID në Shqipëri, Znj. Roberta Mahoney, mbajtën nga një fjalim në ceremoninë e hapjes së konferencës.

Në fjalën e saj, Znj. Mahoney theksoi përpjekjet e bëra për të forcuar vetëqeverisjen dhe autoritetin vendor si edhe përmirësojë cilësinë e qeverisjes vendore."

Këto përpjekje tregojnë që megjithëse me burime të kufizuara zyrtarët e zgjedhur vendorë mund të ndërmarrin aksione të cilat bëjnë ndryshimin ashtu siç përcaktohet dhe vlerësohet nga qytetarët të cilëve i shërbejnë," tha Znj. Mahoney.

"USAID nëpërmjet Programit të Qeverisjes Vendore në Shqipëri, do të vazhdojë t'iu japë ndihmë direkte bashkive për të përmirësuar qeverisjen dhe zhvillimin e ekonomisë së tyre vendore nëpërmjet rritjes së efikasitetit, transparencës dhe forcimit të pjesëmarrjes së shoqërisë civile".

Nëpërmjet prezantimeve dhe diskutimeve në panel të mbajtura gjatë dy ditëve të Konferencës, pjesëmarrësit shtjelluan çështje të rëndësishme si tendencat në të ardhurat vendore, planifikimin urban, menaxhimin e pronave si dhe rezultatet e Sondazhit Vjetor për Pushtetin Vendor të financuar nga USAID.

Konferenca jo vetëm që paraqiti praktikat më të mira, por edhe prodhoi një sërë rekomandimesh dhe hapash të mëtejshëm që duhet të ndërmarrin njësitë e pushtetit vendor për të vazhduar përmirësimin e tyre.

Përveç diskutimeve në panel, Konferenca organizoi edhe një ekspozitë të stendave të bashkive ku evidentoheshin praktikat më të mira të 24 bashkive.

Rastet studimore të përzgjedhura të praktikave më të mira janë përfshirë në një botim të Praktikave më të Mira të Bashkive 2009 dhe përfaqësojnë një shembull të vogël të përqasjeve novatore që përdoren nga njësitë e pushtetit vendor për të përmirësuar cilësinë e jetës.

Programi i Qeverisjes Vendore në Shqipëri (LGPA) i Agjencisë për Zhvillimin Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara (USAID) punon me dhjetë bashki në të gjithë Shqipërinë me qëllim që të mbështesë zhvillimin e ekonomisë vendore, të përmirësojë qeverisjen dhe të forcojë pjesëmarrjen e shoqërisë civile dhe sektorit privat në zhvillimin vendor.

Bashkitë partnere të LGPA-së janë Fieri, Fushë Kruja, Gramshi, Himara, Korça, Kukësi, Lezha, Librazhdi, Pogradeci dhe Shkodra.

e.l/NOA

KOMENTE