English

Vetëvendosje: Thirrjet e Carl Bildt po shërbejnë për valë të padrejta arrestimesh

Prishtinë, 18 Shtator NOA - Përveç 21 aktivistëve të cilët u arrestuan dhe po mbahen në burg, edhe 6 të tjerëve u ka ardhur ftesa për t'u paraqitur pranë Prokurorisë Publike Komunale të Prishtinës, si të pandehur për aksionin e rrokullisjes së veturave.

Nisur nga ky fakt, Lëvizja Vetëvendosje tha sot se ajo beson që mendimet e shprehura të ministrit të jashtëm të Suedisë Carl Bildt, por edhe të zëdhënëses së Solanës, Cristina Gallach, janë urdhër për prokurorinë e policinë e Kosovës.

Bildt e Galach dënuan ashpër aksionin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! kundër EULEX-it. Ata madje kërkuan shprehimisht që të arrestohen dhe dënohen aktivistët e Lëvizjes.Â

Dhe pikërisht këtë po e bën prokuroria dhe policia e Kosovës, konsideron Lëvizja.

Gjashtë aktivistët e akuzuar tashmë i janë shtuar listës së të akuzuarve pas aksionit. Pra, pasi që është marrë vendimi politik për mbajtjen në burg të 21 aktivistëve të arrestuar atë ditë.

Dhe kjo sipas Vetëvendosjes, vjen pasi publikisht u kërkua dënimi i tyre nga Bildt dhe Gallach.

"Kjo thirrje për arrestimin dhe dënimin e aktivistëve të VETËVENDOSJE!-s nuk ka të bëjë fare me të mirën e përgjithshme në Kosovë. Po të ishin vërtet Bildt e Gallach të shqetësuar për këtë do të kërkonin arrestimin e strukturave paralele të Serbisë të cilët aktivisht janë të përfshirë në rrezikimin e jetëve të njerëzve përveç përfshirjes në cenimin dhe minimin e përditshëm të integritetit territorial dhe mundësisë së ushtrimit të sovranitetit të Kosovës, - deklaroi Vetëvendosja.

Ajo thekson se aktivistët e Lëvizjes arrestohen për shkak se ky është interes partikular i EULEX-it.

Pas të premtes, EULEX-i në marrëveshje me policinë e Serbisë, do të orientohet kah zbatimi i protokollit për bashkëpunim policor (dhe përgatitjes së protokolleve tjera) që nënkupton bashkëpunim sa më të ngushtë me policinë e Serbisë.

Ky bashkëpunim me policinë e Serbisë dhe me Ivica Daçiqin nga Partia Socialiste e Serbisë, sipas Vetëvendosjes, përveç që i jep qasje kësaj policie në informatat nga territori i Kosovës, ia zgjeron dhe siguron hapësirën strukturave paralele serbe.

"Në këto struktura siç e dimë të gjithë ka edhe pjesëtarë të policisë së Serbisë. EULEX-i do të bashkëpunojë edhe me ta. Këto janë të papranueshme për popullin e Kosovës. Prandaj duhet të ndërhyhet kundër secilës rezistencë", - përfundon reagimi i Lëvizjes Vetëvendosje!.

a.b/e.r/NOA

KOMENTE