English

Arben Malaj: Përdorimi i euros, i parakohshëm për Shqipërinë

Nga Rajmonda Lajthia

Tiranë, 19 Shtator NOA - Deklarata e kryeministrit Sali Berisha për të përdorur euron si monedhë kombëtare, me qëllim shmangien e luhatjeve në kursin e këmbimit, vlerësohet si e parakohshme nga ish-Ministri i Financave Arben Malaj.

Duke folur sot mbi këtë argument, Malaj thotë për agjencinë e lajmeve NOA, se vendi duhet të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian dhe më pas të hyjë në eurozonë.

Ai kujton faktin se vetëm 16 nga 27 vende të Bashkimit Evropian janë bërë pjesë e eurozonës.

Ndaj sipas tij, për rastin e Shqipërisë ky proces mbetet i parakohshëm.

Për ish-ministrin Malaj qeveria përpara se të mendojë për zëvendësimin e monedhës vendase duhet të bëjë kujdes me politikat fiskale.

Një nga arsyet pse leku është zhvlerësuar gjatë këtij viti është fakti se qeveria e ka tepruar me shpenzimet pa kriter, thotë deputeti socialist Malaj.

"Qeveria pikë së pari duhet të marrë përgjegjësitë për një miradministrim të financave publike. Një nga arsyet pse kredimarrësit shqiptarë po përballen me një euro të fortë është politika e gabuar e qeverisë me shpenzimet"- pohon z. Malaj.

Zëvendësimi i monedhës kombëtare shoqërohet me efekte negative, prandaj shumë shtete hezitojnë të bëhen pjesë e eurozonës edhe pse janë në BE.

Por në vende si Shqipëria, ekonomia e të cilës ka nevojë për investime rrjedhimisht shoqërohet edhe me defiçite të larta buxhetore.

Ndërkohë që vendet anëtare të eurozonës kanë si kriter që defiçiti buxhetor të mos jetë më shumë se 3 % e Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Ne në fillim të vitit e kishim defiçitin 5.9% ndërsa aktualisht qeveria po tenton ta ulë në nivelin e 4.2%.

Por ekspertët ndajnë mendime të ndryshme për sa i përket përdorimit të euros, si paraja e vetme në ekonominë tonë.

Shkak për hapjen e këtij debati është bërë forcimi i ndjeshëm i monedhës evropiane, e cila ka arritur në kufijtë e 134 lekëve.

Ky fakt dëmton rëndë kredimarrësit në euro që po paguajnë gjithnjë e më shumë, ndërsa konsumatorët do të përballen me rritje çmimesh në kushtet kur 70 për qind e produkteve të importit blihen në euro.

Ndaj disa ekonomistë mendojnë se të bëhesh pjesë e zonës euro do të thotë të shmangësh këto efekte negative.

Zona euro përfaqëson një bashkim monetar shumëpalësh nga vende të Bashkimit Europian. Â

/r.l/f.sh/NOA/ - Lexoni si erdhën reagimet: Shqipëria në eurozonë? Qeveria paralajmëron lamtumirë për lekun dhe zëvendësim me euron

KOMENTE