Mamurras 19 Shtator NOA - Ashtu si gjatë fushatës parazgjedhore, edhe në takimin e sotëm me banorë në zonën e Mamurrasit, kryeministri Berisha i është rikthyer mesazheve dhe thirrjeve në distancë ndaj Edi Ramës.
Duke përuruar përfundimin e rrugës Fushë Mamurras-fshati Adriatik, Berisha lëshoi sot për Ramën kërkesën që të lejojë futjen e deputetëve socialistë në Kuvendin e ri, deri tani të bojkotuar pa afat.
"E ftoj zotin Rama të mos pengojë partinë e tij të hyjë në parlament, aty është vendi i debatit konstruktiv, është vendi i vendimeve, por, mbi të gjitha, është vendi i reformave që prekin çdo qytetar dhe familje shqiptare, sepse kanë të bëjnë me të ardhmen europiane të tyre dhe të fëmijëve të tyre", - deklaroi Berisha.
"Shfrytëzoj rastin këtu, në emrin tuaj, - përforcoi Berisha, - t'i bëj edhe një herë thirrje kryetarit të Partisë Socialiste ta lërë duetin me zotin Lakrori, apo ‘dream team', siç po e quajnë të rinjtë dhe ta kthejë partinë në parlament, sepse ky është një vend normal, kanë ikur kohërat kur Shqipërinë mund ta normalizonin".
Në këtë pikë, Berisha foli për zhvillimet aktuale dhe ato të pritshme në vend: ‘Shqipëria po ecën e sigurt drejt proceseve të mëdha integruese, është vend anëtar i NATO-s dhe kjo ka qenë arritje historike. Këtë vjeshtë do të ketë vendime të mëdha për Shqipërinë në Bashkimin Europian, vendime që kanë të bëjnë me statusin e kandidatit, vendime të cilat të gjithë shqiptarët pa përjashtim, por, në mënyrë të veçantë, qeveritarët, politikanët, zyrtarët duhet të jenë në lartësinë e seriozitetit të tyre, vendime që kanë të bëjnë me lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë, lëvizje që shqiptarët e kanë pritur në shekuj.
Ndaj duke iu rikthyer bojkotit të PS, kryeministri theksoi se "është e pafalshme dhe jashtëzakonisht e rëndë që të përpiqesh t'i fusësh shkopinj nën rrota këtij procesi".
Berisha paralajmëroi se "ky nuk është një proces i thjeshtë, një proces i parëndësishëm, por është jetik për të gjitha kombet e Europës, edhe më jetik është për ne që kemi vuajtur më shumë se kombet e tjera dhe që tani jemi në prag të këtyre zhvillimeve".
e.r/NOA