Uashington, 19 shtator, NOA - Irani do të përballet me një izolim të madh ndërkombëtar dhe do të ketë presionin ekonomik në rritje nëse vazhdon të mospërfillë politikat botërore për çështjet bërthamore.
Një fakt të tillë e ka deklaruar vetë sekretarja amerikane e Shtetit Hillari Klintonpërpara një audience në Institutit Brookings.
Duke përshëndetur politikën e re të administratës Obama për sistemin mbrojtës nga raketat në Europë, ajo tha se administrata amerikane gjithsesi nuk ka hequr dorë nga ky program por po ia përshtat atë kërcënimeve që përbën aktualisht Irani.
Sipas Klinton, shumë shpejt Irani do të përballet me alternativën, nëse është apo jo i gatshëm t'u përgjigjet shqetësimeve ndërkombëtare rreth synimeve të tij bërthamore.
Klinton tha se plani i ri, i cili fillimisht do të mbështetet kryesisht te interceptorët e vendosur në anije luftarake, nënkupton instalimin e një sistemi mbrojtës efikas shumë vite më herët se sa sistemi i administratës së mëparshme, i cili, tha ajo, nuk kishte dhënë prova dhe ishte i kushtueshëm. Ajo ritheksoi angazhimin e Shteteve të Bashkuara dhe të NATO-s ndaj Polonisë dhe Çekisë duke ngulur këmbë se kundërshtimet e Rusisë nuk kishin luajtur rol në kalkulimet e Presidentit Obama. "Ky vendim nuk kishte të bënte me Rusinë por kishte të bënte me Iranin dhe me kërcënimin që përbëjnë raketat e tij balistike. Për shkak të kësaj, ne besojmë se do të jemi në një pozitë shumë më të fortë për t'u përballur me këtë kërcënim dhe për ta bërë këtë me një teknologji që funksionon si dhe me besim shumë më të madh se mund ta realizojmë atë që kemi premtuar,"- tha Klinton.
n.e/NOA