Tiranë, 19 Shtator NOA - Qendra e Studimeve Parlamentare organizoi tryezën e rrumbullakët me temë "Zëri i qytetarëve dhe e drejta kushtetuese e peticionit dhe ankimimit, një mjet i rëndësishëm për rritjen e përgjegjshmërisë së qeverisjes", një projekt i zbatuar prej saj dhe i financuar nga Balkan Trust for Democracy.
Ky projekt zhvillohet në vijim të aktiviteteve të organizatës sonë mbi monitorimin e zbatimit të së drejtës së peticionit nga institucionet e administratës qendrore.
Tryeza u ndoq nga përfaqësues nga të gjitha institucionet e monitoruara për zbatimin e të drejtës së peticionit si Presidenca, Kuvendi, Këshilli i Ministrave, Ministria e Brendshme, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Avokati i Popullit, Bashkia e Tiranës, përfaqësues të shoqërisë civile, grupet e interesit.
Projekti ka për qëllim rritjen e përgjegjshmërisë së qeverisë dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në jetën publike si edhe shprehjen e besimit të tyre ndaj institucioneve të shtetit nëpërmjet vendosjes së mekanizmave ligjore në zbatim të së drejtës kushtetuese të peticionit dhe ankesave drejtuar autoriteteve shtetërore.
Tryeza u përqendrua kryesisht në prezantimin e raportit mbi monitorimin e zbatimit të së drejtës së peticionit nga institucionet e administratës qendrore dhe nevoja për rekomandime dhe propozime ligjore.
Institucionet e monitoruara janë: Presidenca, Kuvendi, Këshilli i Ministrave, Ministria e Brendshme, Avokati i Popullit, Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe Bashkia Tiranë.
Në përfundim të procesit të monitorimit mbi zbatimin e së drejtës së peticionit në institucionet qendrore të administratës publike u vlerësua se marrja dhe trajtimi i peticioneve, ankesave dhe kërkesave rregullohet kryesisht me rregullore të brendshme të institucionit, K.Pr.A, ligji për informimin mbi dokumente zyrtare.
Ndërsa u evidentua se nuk ka një praktike uniforme dhe të njësuar në trajtimin e peticioneve dhe ankesave në të gjithë institucionet.
Qendra e Studimeve Parlamentare vëren se trajtimi i peticioneve dhe i ankesave është i njëjtë pa dallime në procedurë, qoftë kur dërgohet nga një person i vetëm apo grup personash.
Statistikat e marra pranë institucioneve dëshmojnë për rritje të numrit të peticioneve dhe ankesave, përkatësisht: pranë presidencës 2 500 ankesa e kërkesa në vit; pranë MB 3 600 ankesa/vit; pranë KLD 2 101 ankesa, Institucioni i Avokatit të Popullit 4 000 ankesa të ardhura në vit dhe Bashkia Tiranë 26 000 ankesa në vit.
Në përfundim të zbatimit të projektit, Qendra e Studimeve Parlamentare, ka paraqitur këto rekomandime:
1. Të unifikohet praktika trajtuese e një peticioni, ankese dhe kërkese në institucionet (brenda një pushteti të caktuar p.sh pushteti ekzekutiv).
2. Të përmirësohet bashkëveprimi ndërinstitucional i peticioneve, ankesave dhe kërkesave në funksion të rritjes së përgjigjshmërisë ndaj publikut.
3. Të rishqyrtohen afatet ligjore të trajtimit të peticioneve, ankesave dhe kërkesave në rastet kur këto kthehen për plotësime tek dërguesi i tyre dhe afatet ligjore për trajtimin e peticioneve, ankesave dhe kërkesave të përsëritura.
4. Të përmirësohet përcjellja e informacionit tek qytetarët; në mënyrën më të shpejtë dhe efektive të mundshme. Të aplikohen mënyrat e reja të komunikimit, si ai elektronik. Për peticione të interesit të përgjithshëm mund të shfrytëzohet edhe publikimi i tyre në faqet e internetit të institucioneve respektive.
Sakaq, mbi rolin e Kuvendit, Qendra e Studimeve Parlamentare ka rekomanduar krijimin e një rrjeti komunikimi midis Kuvendit dhe organeve të ekzekutivit, për një monitorim më të mirë të peticionit dhe pasojave që ai duhet dhe mund të sjellë në rregullimin e çështjes për të cilat është hartuar.
Po ashtu, sugjerohet ngritja e një data-base, me akses të plotë në informacionin për ndjekjen e peticionit.
Kurse u kërkua edhe ngritja e një komisioni të veçantë për trajtimin e rastit objekt peticioni, në rastet e shkeljeve të ligjit, të cilat mund të kenë konsekuenca serioze më së shumti në çështje që kanë të bëjnë me mjedisin, mbrojtjen e konsumatorëve ose trashëgiminë kulturore.
Në konkluzionet e tryezës, Qendra e Studimeve Parlamentare arriti në përfundimin se duhet të unifikohet terminologjia e ndryshme, që ekziston në ligje të ndryshme, për peticionin.
Kurse sugjeroi të bëhen komente të neneve të veçanta në mënyrë që nëpunësi të ketë të qartë kur ka të bëjë me një peticion dhe kur ka të bëjë me një procedurë normale, rutinë të institucionit të tij.
Po ashtu u sugjerua që:
Të përmirësohen kapacitetet dhe perfomanca e punonjësve të zyrave të marrëdhënieve me publikun.
Të përmirësohen format e komunikimit midis institucioneve dhe publikut.
Të unifikohen procedurat e trajtimit të peticioneve dhe ankesës në të gjithë institucionet e administratës publike.
Mbi rolin e Kuvendit:
- Të rishikohet roli i Kuvendit në këtë fushë, me qëllim forcimin e aspektit monitorues dhe kontrollues të tij, veçanërisht ndaj organeve të ekzekutivit.
e.r/NOA