English

Solidariteti ndërnjerëzor

Për fat të keq historia shpesh s'ka qenë shumë bujare me ne. Por në një mbrëmje si kjo e festimit të Iftarit, s'është vendi të flasim për problemet tona, përkundrazi do të ishte me vend të kujtonim një vlerë të rëndësishme që kemi trashëguar nga historia jonë e përbashkët: atë të tolerancës dhe bashkë-ekzistencës sonë fetare

Dr.Gazmend Pula* Ambasador i Republikës së Kosovës në Shqipëri

Duke qenë se jemi në muajin e madhërishëm të Ramazanit, më lejoni që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim personal si dhe të bashkëpunëtorëve të mi, dhe atë në kuptimin më të gjerë të fjalës, të ju falënderoj për pjesëmarrjen tuaj në këtë Iftar dhe takim miqësie e solidariteti ndërnjerëzor. Njëkohësisht përfitoj nga rasti që të gjithë besimtarëve t'u uroj Ramazanin e bekuar dhe të ju dëshiroj agjërim të lehtë.

Mirësia, mëshira dhe paqja e bekimi i Zotit qoftë me ju dhe me botën mbarë. S'ka asnjë dyshim se sot ne shqiptarët jemi një popull i cili vazhdon të përballet me jo pak probleme që kërkojnë zgjidhje. Për fat të keq historia shpesh s'ka qenë shumë bujare me ne. Por në një mbrëmje si kjo e festimit të Iftarit, s'është vendi të flasim për problemet tona, përkundrazi do të ishte me vend të kujtonim një vlerë të rëndësishme që kemi trashëguar nga historia jonë e përbashkët: atë të tolerancës dhe bashkë-ekzistencës sonë fetare.

Bashkekzistenca e shkëlqyer që ekziston sot mes ne shqiptarëve pavarësisht nga besimi, pavarësisht nëse jemi të besimit musliman, suni apo bektashinj, apo të besimit të krishterë, katolikë, ortodoksë, protestantë, të besimit ebre, apo tjetër, përbën sot një vlerë për të cilën ndjehemi vërtetë krenarë. Kjo krenari që kemi dhe ndjejmë gjithmonë, si edhe sot me rastin e shënimit të Ramazanit të madhërishëm si festë e mirësisë, mëshirës dhe solidaritetit njerëzor për njëri-tjetrin, pavarësisht nga përkatësia fetare, politike, racore, apo tjetër.

Kjo krenari dhe kjo përvojë që kemi ne si botë shqiptare në mes të Evropës, merr edhe më shumë vlerë në kohët e trazuara që po jetojmë. Aq më tepër kur fatkeqësisht, jo rrallë në një sërë rajonesh të botës, duke përfshirë jo larg në kohë edhe gadishullin tonë, feja dhe përkatësia fetare u keqpërdorën, apo dhe vazhdojnë të keqpërdoren jo rrallë, si faktorë për të nxitur përçarjen dhe urrejtjen. Toleranca dhe bashkekzistenca jonë e shkëlqyer fetare e shqiptarëve, në fakt, përbën një vlerë të jashtëzakonshme dhe një kontribut të shkëlqyer, që pa pretenciozitet dhe me modesti të duhur, ne shqiptarët, qofshim të Kosovës, të Shqipërisë, apo të Maqedonisë, i ofrojmë Evropës së Bashkuar. Pa pretenciozitet dhe me modesti të theksuar e ofrojmë këtë virtyt të lartë shqiptar edhe civilizimit global dhe dialogut të domosdoshëm mes të civilizimeve dhe kulturave globale, nganjëherë nga pak edhe të konfrontuar në disa aspekte, si trajtohen në disa teori si ato të Huntingtonit, dhe le t'i ngrisim ato në nivel dhe formë të vlerave universale dhe bashkëkohore njerëzore të civilizimit modern, nga të cilat do të përfitojë i gjithë njerëzimi, qoftë mashkull a femër, plak, fëmijë apo i ri. Kjo tolerancë dhe bashkëeksistencë e shkëlqyer ndërfetare, po materializohet në një formë serioze edhe me Forumin e Civilizimeve Globale që sëfundi mbajti takimin e vetë të radhës edhe në Tiranë, organizuar ndër të tjera, edhe nga Qeveria e Shqipërisë, përkatësisht Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Integrimeve. Dhe këto integrime, jam i bindur se na nevojiten të gjithëve ne dhe jam i bindur se do mbeten objektivi ynë i përbashkët dhe madhor.

Në fakt toleranca dhe mirëkuptimi, si konceptet kyçe të doktrinave fetare të mëdha, janë vlera që qëndrojnë në thelb të vetë mësimeve të shenjta - të fesë Islame, të fesë së Krishterë dhe të fesë Ebreje, si dhe të të gjitha feve të tjera të mëdha. Dhe atë jo vetëm sepse janë segmente doktrinore larpurlartiste, nëse më lejoni ta formulojë ashtu, por sepse janë nevojë primare e jetës, zhvillimit, progresit dinamik dhe paqes si parakusht i tyre.

Pra, duke iu uruar edhe njëherë me rastin e këtij Iftari, gëzuar festën e Ramazanit, më lejoni t'iu uroj njëkohësisht që festa të tilla të na shërbejnë edhe në të ardhmen, dhe jo vetëm neve, për të nxitur edhe më tej dashurinë, mirëkuptimin, besimin dhe solidaritetin njerëzor mes gjithë nesh, këtu dhe gjithandej.

(*) Fjala e rastit e Dr. Gazmend Pula me rastin e iftarit të Muajit të Madhërueshëm të Ramazanit

KOMENTE