Enciklopedia e marrive/Në projektin më të ri të Akademisë Maqedonase të Shkencave dhe Arteve, ndër të tjerë nuk janë përfshirë as Nevzat Halili e as Menduh Thaçi, ndërkaq nga ana tjetër, nuk është harruar Johan Tarçullovski
Nga Shkëlzen Halimi
Enciklopedia e marrive. Kështu do të mund të quhet Enciklopedia Maqedonase( e jo Enciklopedia e Maqedonisë), projekti më i ri i Akademisë Maqedonase të Shkencave dhe Arteve, që të enjten pati një promovim mjaft pompoz.
Është vështirë të presësh diçka nga ata që lajtmotiv të përditshmërisë kanë paragjykimin, aq më tepër kur dihet se paragjykimi ndaj shqiptarëve në Maqedoni për shumë kë është ushqim shpirtëror.
Paraqitja e elementit shqiptar në formën e një karikature të vrazhdë, edhe atë në një projekt voluminoz që mban siglën e një institucioni ku besohet se është tubuar truri i një kombi (Akademia e Shkencave dhe Arteve), do të thotë se më në fund në Maqedoni po bien maskat dhe se po qartësohen qëllimet me prapavijë të errët. Kjo shqiptarëve ua përkujton projektet famëkeqe të Akademisë serbe në krye me Çubrolloviqin e Ivo Andriqin.
Mosprezentimi i vërtetë i historisë shqiptare, ashtu siç argumentohet edhe në shumë dokumente të historianëve e udhëpërshkruesve të huaj, mospërfshirja e ngjarjeve historike (që kanë ndodhur në Dibër, Manastir, Shkup...), pa të cilën historia shqiptare do të ishte e mangët, lënia anash e shumë figurave shqiptare nga jeta kulturore e politike, përfshi edhe ata, pa të cilët historia e më e re e Maqedonisë jo vetëm që do të ishte e thatë, por edhe do të humbte kuptimin, do të thotë se intriga ndaj shqiptarëve tashmë po institucionalizohet.
Është e pafalshme mospërfshirja në këtë enciklopedi e shumë figurave, ndër të tjera edhe mospërfshirja e Nevzat Halilit, liderit të partisë (PPD) së parë shqiptarë në Maqedoninë pluraliste, pastaj e kryetarit aktual të PDSH-së, Menduh Thaçit e ndonjë tjetër. Për ta nuk pati "hapësirë dhe vend", por pati për, bie fjala, Johan Tarçullovskin, i dënuar nga Gjykata e Hagës për krime kundër njerëzimit (në Luboten plagët ende janë të freskëta). A nuk flet kjo qartë për një tendencë të paramenduar mirë.
Është kapitull në vete numri i madh i gabimeve dhe të pavërtetave që prezantohen në këtë enciklopedi. Duket qartë se hartuesit e saj ndaj elementit shqiptar kanë patur qasje improvizuese. Këtë improvizim ata do ta dëshmojnë, për shembull, te shënimi mbi Hasan Kaleshin, një figurë e shquar e kulturës shqiptare nga Kërçova (babai i piktorit me famë botërore, Omar Kaleshi). Në vend të fotografisë së Hasan Kaleshi, ata do ta vënë fotografinë e Faik Konicës. Një gabim tjetër i pakëndshëm bëhet me Hamid Thaçin (kumanovarë), një figurë nga periudha e LNÇ-së, i cili prezantohet dy herë: një herë si Taki Hamid pastaj si Taçi Hamid. Këto janë vetëm disa nga "perlat" e injorancës dhe infantilitetit të përpiluesve të këtij projekti. Ndërkaq, mos të flasim për disa të pavërteta që ndërlidhen me vetë shtetin shqiptar dhe me disa figura që kanë lënë gjurmë në historinë e Shqipërisë.
Dhe çka duhet bërë pas gjithë kësaj? Është koha të tubohet Unioni i Intelegjencisë Shqiptare, Shoqata e Historianëve Shqiptare, Shoqata "Zgjohu" dhe asociacionet tjera shqiptare që veprojnë në Maqedoni dhe ta shqyrtojnë mirë e mirë këtë enciklopedi, dhe t'i evidentojnë të gjitha marritë, intrigat, të pavërtetat, natyrisht me argumentet që janë absolutisht në anën e shqiptarëve, dhe të kërkojnë që urgjentisht enciklopedia të tërhiqet nga përdorimi dhe të shpallet e pavlefshme. Ose të bëhet një enciklopedi që i përgjigjet realitetit të Maqedonisë. Natyrisht, edhe subjektet politike shqiptare duhet ta shprehin qëndrimin e tyre. Kjo enciklopedi duhet të vlerësohet si shkas që të gjithë shqiptarët të falsin me një zë.
Sepse për këtë enciklopedi janë derdhur shumë mjete nga buxheti i shtetit, në të cilin (buxhet) participojnë edhe shqiptarët. Nuk ka logjikë që ta paguash dikë të tallet me historinë dhe kulturën tënde. Kjo i kalon të gjitha kufijtë e njerëzimit.
Ndërkaq, ata dy-tre shqiptarë, anëtarë të kësaj akademia, pas këtij skandali besoj se e kanë të qartë mesazhin e atyre akademikëve që e përpiluan këtë Enciklopedi të marrive, që cenojnë jo vetëm historinë dhe kulturën, por edhe dinjitetin e shqiptarëve. Ata duhet t'u thonë lamtumirën atyre që tallen me fatin e popullit që i takojnë vetë.
(*) "Koha e Shkupit