Tiranë, 19 shtator, NOA - Nga data 18 shtator e tutje të gjithë drejtuesve të automjeteve në Tiranë ju duhet të jenë më të kujdeshëm gjatë lëvizjes së tyre me makinë në akset rrugore të këtij qyteti.
Policia e Tiranës në punën e saj për për parandalimin e aksidenteve në rrugë dhe në krijimin e lehtësirave për lëvizjen e lirë të mjeteve, në përputhje me legjislacionin rrugor, me qëllim parandalimin dhe uljen e aksidenteve rrugore do të ushtrojë kontrolle të shumta.
Të gjitha këto kontrolle po ushtrohen në drejtim të vendosjes së rripave të sigurimit, kaskës mbrojtëse, kontrollit të shpejtësisë, përdorimit të alkolit nga drejtuesit e mjeteve, parkimet e gabuara dhe parkimet dyshe në akset e qytetit të Tiranës. Gjatë kontrolleve të ushtruara nga policia ditën e djeshme në qarkun e Tiranës janë konstatuar dhe vendosur disa masa administrative të cilat në total arrijnë numrin 870 dhe me vlerë 1 040 700 lekë.
Përveç këtyre masave administrative të ndërmarra nga forcat policore gjithashtu bëhet e ditur se janë pezulluar dhe 8 leje drejtimi automjetesh.
Gjithashtu policia e Tiranës e ka parë si domosdoshmëri mirëkuptimin dhe mbështetjen e opinionit publik duke ftuar të gjithë përdoruesit e rrugës, në ndërgjegjësimin për të zbatuar me korrektësi normat e sjelljes gjatë drejtimit të mjetit dhe rregullat e legjislacionit rrugor, të përcaktuar në Kodin Rrugor.
f.sh/NOA