English

Meta përkrah Berishës në Nju Jork, takime dhe me kolegët e Konferencës Islamike

Tiranë, 20 Shtator NOA - Zëvendëskryeministri dhe Ministër i Punëve të Jashtme, Ilir Meta u nis për në Nju Jork për të marrë pjesë në hapjen e punimeve të Sesionit të 64-t të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Z.Meta gjendet në përbërje të delegacionit zyrtar të kryesuar nga Kryeministri, z. Sali Berisha, duke shënuar kështu për herë të parë, daljen jashtë vendit të dy drejtuesve më të lartë të qeverisë që i përkasin dy krahëve të ndryshëm politikë në vend.

Meta shkon një ditë para Berishës për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku pritet të qëndrojnë rreth tetë ditë.

Gjatë ditëve të qëndrimit në Nju Jork, z. Meta do të marrë pjesë në një sërë takimesh të rëndësishme shumëpalëshe si Forumi i Udhëheqësve për Ndryshimet Klimaterike, apo dhe Takimi Vjetor i Udhëheqësve nga Ballkani.

Gjithashtu Meta do të jetë i pranishëm në Takimin A5 në kuadrin e Kartës së Adriatikut, Takimin Vjetor të Aleancës së Civilizimeve, si dhe takimin e vendeve të Komunitetit të Demokracive, etj.

Konfirmohet nga burime të MPJ se z.Meta do të marrë pjesë dhe në takimin Vjetor të Ministrave të Jashtëm të vendeve të Organizatës së Konferencës Islamike.

Përfshirja në axhendën qeveritare të Konferencës Islamike përbën një interes të veçantë shqyrtimi, kjo për arsye se në programin qeverisës që berisha prezantoi dhe miratoi në Kuvend me shumicë votash, as që përmendet bashkëpunimi me këtë organizatë që përfshin disa nga vendet me të pasura të botës.

Gjithashtu, z. Meta do të zhvillojë një sërë takimesh dypalëshe me homologët nga vendet e BE-së, rajoni dhe nga mbarë bota, - bëri të ditur zyra për shtyp e kreut të ministrisë së Jashtme.

e.r/NOA

KOMENTE