Tiranë, 20 Shtator NOA - Në kuadrin e fillimit të vitit të ri shkollor, Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë në bashkëpunim me Federatën e Familjes për Paqe Botërore dhe Bashkim, nxitën një nismë të veçantë dhe humane, në ndihmë të 110 fëmijëve jetimë më në nevojë.
Prej vitesh, shumë fëmijë jetimë dhe pa kujdes prindëror nuk kanë patur dhe nuk e kanë mundësinë që të ulen në bankat e shkollës, pasi atyre u mungon gjithçka që i duhet një fëmije për t'u ulur në bankat e shkollës.
Këta fëmijë, nuk kanë të ardhura për të blerë çantat dhe librat, mjetet didaktike shkollore, aq të nevojshme që do t'i bënin të ndjeheshin të barabartë me të gjithë bashkëmoshatarët e tyre.
Në mjediset e Hotel Tirana International, u organizua edhe ceremonia e shpërndarjes së këtyre dhuratave, siç duket në foton që shoqëron lajmin dhe të tjera që gjeni te Galeria.
Dhuratat, ishin siguruar me shumë dashuri dhe bujari nga kontributi i shumë qytetarëve të Shqipërisë dhe të Kosovës.
Të pranishëm në dhurimin e pakove me mjete shkollore përveç vullnetarëve dhe përfaqësueseve të Institutit të Integrimit të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, morën pjesë edhe Ambasadorët për Paqe, të cilët i janë bashkangjitur sensibilizimit për të mbështetur fëmijët pa prindër.
Në këtë ceremoni ishte e pranishme edhe Zonja e Parë e Vendit Teuta Topi, z. Ilir Çumani, Drejtor i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, Presidentja e Federatës së Paqes Universale për Shqipërinë Lavdie Ruci, Kryetari i Këshillit Kombëtar i Federatës së Paqes Universale për Shqipërinë Prof. Dr. Shezai Rrokaj, Presidenti i Federatës së Familjes për Paqe Botërore dhe Bashkim z. Gani Rroshi, gazetarë dhe përfaqësues të shoqërisë Civile, etj.
Në të gjitha diskutimet e pjesëmarrësve në këtë veprimtari krejt të veçantë, u vu theksi te vullnetarizmi, si një nga aktet më të mëdha dhe më fisnike që duhet ta zhvillojmë dhe ta ruajmë, për ta ridimensionuar atë ashtu siç bëjnë të gjitha shoqëritë e emancipuara dhe të civilizuara.
Ilir Çumani, drejtor i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë tha se "kjo veprimtari humane synon jo vetëm ndihmën konkrete dhe të drejtpërdrejtë ndaj këtyre fëmijëve më në nevojë, por edhe qasjen e njërit prej modeleve se si duhet të funksionojë mekanizmi dhe solidaritetit human, vullnetarizmi".
***
Prej vitesh, shoqëria shqiptare po e vuan si një plagë të hapur dhe të pashpresë anafalbetizimin e shumë fëmijëve në nevojë, të cilët, për shkak të pamundësive ekonomike e financiare nuk mundin dot të shkojnë në shkollë.
Në kategorinë e këtyre fëmijëve bën pjesë edhe kontigjenti i fëmijëve jetimë, i atyre fëmijëve që janë pa kujdes prindëror, pa familje...
Për këtë arsye, nisma e Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë në bashkëpunim me Federatën e Familjes për Paqe Botërore dhe Bashkim nxiti Aksionin Kombëtar në ndihmë të këtyre fëmijëve, duke promovuar tek çdo qytetar shqiptar nismën mbi vullnetarizmin, të ndihmës ndaj më të dobëtit, të atij që nuk ka mundësi dhe që është më në nevojë....
***
Kanë qenë 10 të rinj dhe të reja vullnetarë të Federatës së Familjes për Paqe Botërore dhe Bashkim, djem dhe vajza 18 - 22 vjeçarë, të cilët për gjatë muajve të verës ndërmorën veprimtarinë humanitare të vullnetarizmit për mbledhjen e fondeve në Shqipëri dhe Kosovë për rreth një muaj.
Këta vullnetarë studentë, të rinj dhe të reja dhe me zemër të madhe, kanë trokitur derë më derë, shtëpi më shtëpi, në të gjitha zonat dhe qytetet e Shqipërisë, por edhe në Kosovë, duke bërë të mundur kështu jo vetëm sensibilizimin por edhe sigurimin e ndihmës së nevojshme për këta fëmijë jetimë të cilët do të kenë mundësi të buzëqeshin dhe të plotësojnë ëndrrën e tyre për t'u ulur në bankat e shkollës.
Ky aksion, kishte në vetvete edhe një tjetër qëllim madhor; sensibilizimin e të gjithë shoqërisë shqiptare, të institucioneve shtetërore, biznesit dhe të gjithë aktorëve të shoqërisë, të operatorëve privat që veprojnë në fushën e biznesit, me qëllim që ata të jenë sa më pranë këtij komuniteti në nevojë.
Çumani thekson se "pas një punë të lodhshme, plot mund dhe me shumë sakrifica, mes vapës dhe diellit të nxehtë të kësaj vere, këta të rinj mundën dhe ia dolën mbanë që të siguronin mjetet e nevojshme financiare, aq të domosdoshme për këta fëmijë, përfitues të cilët janë 110 fëmijë jetimë nga klasa e I-rë deri në shkollën e mesme".
e.r/NOA - Foto të tjera gjeni te Galeria