English

Një filozof për filozofinë e re të Thaçit

Një ish-luftëtar dhe një filozof janë bashkimi i ri në rrugën e transformimit të PDK-së, që do tentojnë një betejë të madhe: bastionin e fundit dhe lavdinë e vetme të LDK-së, Prishtinën

Nga Armand Shkullaku

Partia Demokratike e Kosovës, ka shanse, më shumë se asnjëherë tjetër, që në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit ta thyejë mitin e LDK në Prishtinë. Nëpërmjet një filozofi, Hashim Thaçi do të testojë nëse filozofia e tij politike mund t'i bindë kryeqytetasit të votojnë për partinë e atyre "që zbritën nga mali". Ai ka zgjedhur Astrit Salihun si kandidat të PDK për kryetar të Prishtinës. Kjo lëvizje e Thaçit nuk është e papritur. Në listën e kandidatëve që qarkulluan për Prishtinën dëgjoheshin emra që vinin nga bota e biznesit, shoqërisë civile apo politikanëve të rinj të moderuar. Hapja e PDK ndaj kësaj pjese të shoqërisë kosovare si dhe çoroditja e LDK, ishin dy faktorët kryesorë që i dhanë atij fitoren dy vjet më parë. Tani ai nuk ka pse eksperimenton, por i duhet vetëm t'i përmbahet një rruge të provuar. Dhe, po e bën këtë. Në kabinetin e kryeministrit të Kosovës bëjnë pjesë personazhe të njohur të jetës sociale dhe intelektuale të Prishtinës (edhe vetë Astrit Salihu është pjesë e këtij stafi) që kanë ndikur në zbehjen e kontrasteve mes PDK së dikurshme dhe asaj që duhet të jetë një parti moderne. Vetë Thaçi prej kohësh po përdor një gjuhë të matur dhe po sillet me mjaft moderacion për të krijuar profilin e një politikani karriere dhe për ta kyçur në arkiva epitetin e "kryeministrit të dalë nga lufta". Po e bën këtë qoftë duke shmangur përplasjet personale me kundërshtarët, qoftë duke përkëdhelur Milanin e vogël që është rikthyer në Kosovë. Ai po përpiqet, jo pa vështirësi, të mbajë këtë kurs, qoftë edhe me kosto politike disa herë, siç po duket përplasja e fundit për kandidatin e Prizrenit. Edhe kandidimi i Astrit Salihut për Prishtinën është në këtë frymë. Nëpërmjet këtij filozofi, të lindur dhe të formuar në Prishtinë, PDK kërkon të fashisë çdo hije dyshimi që ka mbetur në shpirtrat e prishtinasve nga koha e vështirë e komandantëve arrogantë. Ai nuk ka asnjë lidhje me agresivitetin, dhunën dhe nuk mbart ndjeshmëritë negative të elementëve të dikurshëm të PDK. Me Salihun, kryeminsitri Thaçi duket sikur i ka rrëmbyer LDK edhe armën e fundit, atë të profilit paqësor, tolerant dhe të hapur. Në këtë aspekt, mes Astrit Salihut dhe Isa Mustafës nuk ka ndonjë dallim esencial, të dy janë të një profili të qetë dhe të matur. Në pikën e vetë më të fortë në Prishtinë, LDK është tashmë mëse e konkurrueshme. Llogaritë e PDK janë të thjeshta, të ruajë afro 22 për qind të votave që ka në Prishtinë, t'u shtojë atyre prurjen e re që duhet të sjellë Salihu dhe të mbërrijë e sigurtë në balotazh. Pse jo të tentojë edhe fitoren. Nga ana tjetër PDK po shfrytëzon me dinakëri çoroditjen dhe pozitën hemafrodide të LDK. Këto dy parti janë aleate në qëveri dhe po hyjnë ndaras në zgjedhjet lokale. Prej këtu buron ngërçi i parë për LDK. Ajo nuk mund të godasë qeverinë, nuk mund të prekë shumë të vërteta, nuk e cek dot korrupsionin dhe nuk ndihet e qetë në përballjen me elektoratin për shkak të imazhit problematik që ministrat e saj kanë krijuar gjatë qeverisjes. Duke i lëshuar terren në këtë drejtim AAK-së, partisë së ish presidentit Rugova i mbetet vetëm të mbrojë arritjet e dikurshme. Këtë ngërç po e shfrytëzon më së miri PDK. Hashim Thaçi nuk le rast pa treguar se Sejdiu dhe LDK janë partnerët e tij më të mirë. Me gjithë kritikat e shumta ai i ka ruajtur në gjirin e tij ministrat e LDK dhe ia ka arritur të krijojë perceptimin se dikur partia më e madhe në Kosovë sot nuk është gjë tjetër veçse një aneks i PDK. Atëherë kush janë arsyet për të cilat elektorati i LDK duhet të ndihet entuziast për të votuar? Jo vetëm që pakkush kishte menduar se votat e 17 nëntorit 2007 do të shkonin për të konsoliduar pushtetin e Hashim Thaçit, por edhe gjatë këtyre dy vjetëve LDK nuk ka dëshmuar asnjë qëndrim ndryshe nga ai i kryeministrit. Atëherë çfarë ndryshimi do të sillte vota për LDK në zgjedhjet lokale? Kjo situatë prodhon një avantazh të madh për PDK, por që nuk i vlen i vetëm. Ose më saktë, vlen bashkë me Astrit Salihun. Personaliteti i Salihut tenton të zhvlerësojë kartën e fundit që i ka mbetur LDK, figurën e Isa Mustafës, një politikan me profil qytetar dhe një administrator korrekt. Nëse elektorati i LDK ndihet i ftohur me këtë parti dhe emri i Isa Mustafës është një motiv që mund ta çojë atë në kutitë e votimit, PDK kërkon ta shmangë edhe këtë mundësi. Astrit Salihu e ka profilin që i shkon për shtat Prishtinës dhe PDK e ka forcën që i mungon LDK. Një ish luftëtar dhe një filozof janë bashkimi i ri në rrugën e transformimit të PDK, që do tentojnë një betejë të madhe: bastionin e fundit dhe lavdinë e vetme të LDK, Prishtinën. Bindja e kryeqytetasve se ky ndryshim i PDK është real është hapi i parë drejt suksesit.

(*) Marrë nga "Express"

KOMENTE