Fier, 20 shtator NOA - Heqja e monumentit të "Pesë Heronjve të Vigut" si dhe heshtja e intelektualëve shqiptarë përballë enciklopedisë Maqedonase, ka detyruar Shoqatën Kombëtare Atdhetare të protestojë me slogane të paprecedentë.
Kanë qenë pikërisht pesë arkivole bosh që secila kishte të shënuar emrat e pesë heronjve të Vigut të cilat janë vendosur përballë godinës së bashkisë së qytetit të Fierit në shenjë proteste.
Protesta me arkivol është organizuar paraditen e sotme nën kujdesin e shoqatës Atdhetare, Kristaq Ziu i cili ndihmohej nga disa bashkëpunëtorë të tij.
Ziu nuk kishte lajmëruar policinë për këtë protestë, ndërsa ka mundur të mbajë pesë arkivolet për rreth 30 minuta para bashkisë së Fierit.
Për të parë se ç'po ndodhte janë mbledhur me dhjetëra njerëz të cilët ishin thjesht kureshtarë pa e ditur subjektin e protestës.
Drejtuesi i shoqatës Kristaq Ziu me anë të një megafoni ka pohuar se kjo protestë, këta pesë arkivole simbolikë me emrat e Pesë Heronjve të Vigut zhvillohet për shkak se po harrohen heronjtë që dhanë jetën e tyre për lirinë e vendit dhe një fakt të tillë e konfirmon heqja e monumentit të tyre nga sheshi qendror në Shkodër i cili u transportua në një vend ku hidhen mbeturinat.
"Duhet të ndërgjegjësohemi, të ngremë zërin qytetar dhe jo vetëm për ta, por edhe për enciklopedinë Maqedonase të cilët pa asnjë mbështetje në fakte e dokumente pohojnë se shqiptarët kanë zbritur nga malet e kanë vjedhur e grabitur çfarë të mundnin.
Ku janë intelektualët tanë, përse nuk e ngrenë zërin por rrinë të heshtur" ka deklaruar Ziu. "Maqedonasve e skenarëve të tillë t'u jepet përgjigje nga akademikët tanë, nga intelektualët tanë, nga organizmat ndërkombëtarë e kombëtarë.
Jo vetëm trojet brenda kufijve të Shqipërisë janë shqiptare por edhe trojet në Malin e Zi, Kosovë, Maqedoni dhe Çamëri janë toka shqiptare dhe një ditë do të bëhet Shqipëria e madhe. Ne do ta kërkojmë me këmbëngulje duan apo s'duan fqinjët, duan apo s'duan ndërkombëtarët" ka deklaruar më tej, kreu i shoqatës.
k.k/NOA