"Javier Solana është Përfaqësues i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri. Një dyfishim ky gjithsesi për vendet si puna e Kosovës. Kosova është çështje e politikës së jashtme duke qenë çështje e sigurisë dhe është çështje e sigurisë duke qenë çështje e politikës së jashtme. EULEX-i është mision i BE-së jashtë saj, por është edhe ministria e vërtetë e brendshme e Kosovës. Dhe, gjithashtu, gjersa do ta kemi EULEX-in doemos do të mbesim jashtë BE-së"
Nga Albin Kurti
Përgjithësisht pranohet se konfliktet që precipitojnë sot në botë janë gjithnjë e më shumë brenda shteteve e gjithnjë e më pak ndërmjet shteteve. Kjo lëvizje e rritë rëndësinë e policisë dhe e zvogëlon atë të ushtrisë; hegjemonia e fjalës ‘siguri' zhvillohet në llogari të fjalës ‘mbrojtje'. Jetojmë në epokën kur realiteti ynë është më parë ai i regjimeve policore (gjithnjë e më të sofistikuara), sesa ai i regjimeve ushtarake (që pëlcasin disi banalisht atëherë kur ngjajnë). Kjo nuk do të thotë se ushtritë po zhduken. Aspak. Ato vetëm po ridimensionohen. Ushtritë gjithnjë e më shumë kryejnë punë policore dhe i përngjajnë policisë. Ato nuk mbrojnë territore dhe nuk sulmojnë ushtri të tjera, por vëzhgojnë me kujdes dhe izolojnë elemente destabilizuese. Shpesh ushtritë po bëjnë përgjime e arrestime më shumë edhe se vetë policitë. Ushtria është policia e re. Bosnja dhe Kosova nuk mbesin prapa. Përkundrazi. Ato janë avantgardë e rendit më të ri botëror. Politika Evropiane e Sigurisë dhe Mbrojtjes i ka pasur 22 misione nëpër botë për 10 vjet. Mirëpo, Bosnja dhe Kosova janë të veçanta - dy vende që BE-ja ua premton anëtarësimin gjersa udhëheq me sundimin ndërkombëtar mbi to. Prandaj, mos u shqetësoni kur na cilësojnë si të prapambetur. Ne nuk jemi të prapambetur. Të gjithë të tjetër janë të prapambetur. Tek ne të tjerët mund ta shohin ardhmërinë e tyre. Tek ne që s'kemi të ardhme po vazhduam kështu. Brenda Bashkimit Evropian çështje është ekonomia. Jashtë BE-së çështje është siguria. Javier Solana është Përfaqësues i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri. Një dyfishim ky gjithsesi për vendet si puna e Kosovës. Kosova është çështje e politikës së jashtme duke qenë çështje e sigurisë dhe është çështje e sigurisë duke qenë çështje e politikës së jashtme. EULEX-i është mision i BE-së jashtë saj por është edhe ministria e vërtetë e brendshme e Kosovës. Dhe, gjithashtu, gjersa do ta kemi EULEX-in doemos do të mbesim jashtë BE-së. Regjimi ndërkombëtar në Kosovë, e posaçërisht KFOR-i, flasin për paqen si për një prodhim të përditshëm të tyrin. Jo si për paqekrijim apo paqebërje nga viti 1999, por si një paqeprodhim i përçdoditshëm. Regjimi ndërkombëtar në Kosovë e projekton veten si një fabrikë të paqes, e paqen si produkt serik të tyre. Çdo ditë të re që e jetojmë ata na e shndërrojnë në një ditë të paqes, që do të thotë, në një ditë pa konflikt e trazira, në një ditë të sigurt. Natyrisht se njëmend bëhet fjalë për ditë pa konflikt e trazira, por pas një periudhe disavjeçare do të duhej të mos e përmendim më këtë gjë, apo jo? Duke e cilësuar kohën vetëm si kohë pa konflikte e trazira, kjo i afirmon konfliktet e trazirat anipse duke konstatuar mungesë të tyre. Por, e këtillë është siguria. Kaloi edhe një ditë e sigurt. Për tjetrën s'dihet. Por, dihet që e kemi KFOR-in. Rendi, siguria, qetësia janë fjalë policore. Porse ato do t'i gjeni në billboard-at e KFOR-it jo më pak se sa në broshurat e policisë. Madje, edhe FSK-ja është veçse polici. Në fakt, shtojcë e policisë. Një lloj xhandarmërie në rastin më të mirë. Skuadër zjarrfikësish, e notarësh shpëtimtarë në rastin më të keq. Te EUSR/ICO-ja, si dhe te EULEX-i, njeriu i caktuar që duhet të merret me Lëvizjen VETËVENDOSJE! është i sektorit të sigurisë, jo ai i shoqërisë civile. Kurrë s'i kemi parë, ose dëgjuar këta njerëz. Mbase ata na shohin, dëgjojnë e përgjojnë. Ngjashëm, edhe shumica e gazetave e vendosën aksionin tonë të përmbysjes së makinave të EULEX-it në rubrikën e sigurisë. Këtë nuk e bëri me paramendim dikush i caktuar aty në redaksitë e gazetave. Ashtu do të ishte kollaj. Do të flisnim për ata persona dhe motivet e tyre. Çështja është se ky kategorizim i aksionit tonë është shprehje e së pavetëdijshmes (tashmë) kolektive (edhe të gazetarëve). Dhuna strukturore e sistemit është çështje politiko-juridike. Reagimi ndaj kësaj dhune bëhet çështje e sigurisë (sic.). Sigurisë së kujt? Sigurisë së pushtetit, natyrisht. Kur të na shikojnë neve këtu poshtë, ata duhet të ndjehen të sigurt atje lart. Cili qytetar na denoncoi në polici se i është rrezikuar siguria apo prishur qetësia pas rrokullisjes së 25 xhipave të EULEX-it? Asnjë. Sa qytetarë na kanë thirrur për të na përgëzuar për aksionin? Me qindra sosh. Zhvendosja te çështjet e sigurisë e rezistencës politike ndaj tyre është mekanizëm i depolitizimit. Për politikën e demokracinë nevojitet siguria njëherë, predikojnë ata. Mirëpo, kjo siguri e tyre, në fakt, është pikërisht siguri veçse e tyre - siguri e kësaj politike dhe demokracie që ndërtohet mbi konceptin e prioritizimit të sigurisë. Siguria s'ka të bëjë me territorin (e Kosovës të cilin, siç e dimë, nuk po na e mbrojnë). Siguria është e deterritorializuar. Ajo ka të bëjë me ata që duhet të ndjehen të sigurt: me njerëz të caktuar në cilindo territor që ndodhen ata - jo me territorin, çfarëdo njerëzish qofshin aty. Siguri e njerëzve të rëndësishëm lart, jo mbrojtje e territorit poshtë. Dhe, siç na mëson Michel Foucault kur shpjegon konceptin e tij ‘governmentality', kjo siguri s'ka se si bëhet vetëm për të tashmen, por bëhet edhe për të ardhmen. Siguria është koncept që patjetër shtrihet në të ardhmen. Siguria është siguri e së ardhmes. Prej këtu, pashmangshëm, ligjërimi për sigurinë shndërrohet në kontroll të njerëzve nga ana e pushtetit, në trajtim brutal të së paparashikueshmes së tyre. Në mënyrë që t'i kontrollojë njerëzit, pushteti e parashikon të paparashikueshmen e njerëzve si të zezë, si rrezikim i skajshëm i mundshëm. Dhe, të rrezikon mandej paraprakisht, në emër të sigurisë. Nëse hyn në një sistem të këtillë, d.m.th. përfundi tij, dhe bëhesh i dëgjueshëm aty, atëherë edhe takohesh e bisedon me politikanët e diplomatët e majave të sistemit. Nëse konteston koordinatat e sistemit dhe kursin zyrtar, atëherë t'i caktojnë takimet me policët, gardianët, prokurorët e gjykatësit e sistemit. Mund të zgjedhësh, apo jo? Nëse flet, nëse vetëm flet, ama gjithnjë e më butë, atëherë të konsiderojnë edhe lider politik. Bëhesh udhëheqës kur sigurohen se do t'i ndjekësh; bëhesh politik kur hyn në politikën e tyre. Pra, bëhesh lider politik kur më së paku je i tillë - kur s'je më as lider e as politik. Ndërkaq, nëse fillon të veprosh, jo vetëm të flasësh, nëse nis e vepron në përputhje me fjalët kundërshtuese, atëherë bëhesh çështje e sigurisë. Mund të zgjedhësh, apo jo? Mund të votosh, siç do të thoshin disa, apo jo?Â