Tiranë, 21 shtator, NOA - Kryeministri Berisha është nisur sot për një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku do të marrë pjesë në Sesionin e 64 të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Lajmi bëhet i ditur nga burimet zyrtare të Këshillit të Ministrave për agjencinë e Lajmeve NOA, të cilat bëjnë me dijeni edhe se Berisha në këtë vizitë shoqërohet nga zëvendësi i tij i ri, njëkohësisht ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta.
Sipas tyre, kryeministri në SHBA do të ketë një axhendë të ngjeshur me takime bilaterale me liderë dhe personalitete të rëndësishme botërorë.
Gjithashtu bëhet e ditur se kryeministri Berisha do të bëjë një përshëndetje në "Millenium Challenge Corporation", si dhe do të jetë i ftuar të marrë pjesë në Samitin mbi Ndryshimet Klimaterik
Ndërkaq, kryeministri do të jetë referuesi kryesor në Samitin "Global Creative Leadership", në panelin mbi edukimin dhe impaktin e teknologjisë dixhitale në edukim.
Nga ana tjetër, kryeministri Berisha dhe zonja e tij do të jenë në mesin e shumë liderëve të tjerë të botës, kryetarë të delegacioneve pjesëmarrëse në Sesionin e 64 të Asamblesë së Përgjithëshme të Kombeve të Bashkuara, të cilët do të priten në një mbrëmje gala nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama, në Metropolitan Museum of Arts.
Por njëkohësisht kryeministri Berisha do të jetë i ftuar special edhe në ceremoninë tradicionale të hapjes së bursës amerikane.
Gatë vizitës së tij në SHBA, kryeministri Berisha është parashikuar që të zhvillojë takime të ngrohta edhe me komunitetin e shqiptarëve të cilët jetojnë dhe punojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe që japin një kontribut të çmuar në jetën dhe politikën e vendit.
n.e/NOA